Husamedin Gina
25 Shkurt 2022•Përditësim: 25 Shkurt 2022
Ukrainasit në Maqedoninë e Veriut organizuan një protestë para Ambasadës Ruse në Shkup kundër pushtimit rus të Ukrainës, raporton Anadolu Agency (AA).
Protesta e organizuar nga Shoqata e Ukrainasve në Maqedoninë e Veriut filloi në sheshin "Maqedonia".
Me flamuj ukrainas dhe mbishkrime kundër Putinit dhe Rusisë, anëtarët e shoqatës thanë se donin të dërgonin një mesazh në lidhje me atë që po ndodh aktualisht në Ukrainë.
Protestuesit kanë brohoritur slogane si “Putini është fashist”, “Ndaloni luftën në Ukrainë”, “Putini është vrasës”, “Putini po vret fëmijë”.
Kryetari i Shoqatës së Ukrainasve në Maqedoninë e Veriut, Aleksandar Urbanoviç, në një deklaratë për media para ambasadës ruse në Shkup tha se duan të përcjellin mesazhin se nuk është normale në shekullin e 21-të të vriten njerëz në mënyrë që presidenti i Rusisë të mbetet në pushtet.
“Ushtria jonë është e gatshme të rezistojë, por ne do të themi sërish se diplomacia duhet të jetë mbi të gjitha, të zgjidhet ky konflikt në nivel diplomatik, të ndalet lufta dhe të kemi paqe në Ukrainë, paqe në Evropë, paqe në Ballkan. Kjo është arsyeja pse ne jemi këtu sot për të ndaluar luftën", tha Urbanoviç.