Fatjon Cuka
07 Tetor 2021•Përditësim: 08 Tetor 2021
Kuvendi i Shqipërisë në seancën e sotme plenare ka diskutuar për procesin e vaksinimit kundër koronavirusit të ri (COVID-19) në Shqipëri, pas miratimit në shtator nga Qeveria e Shqipërisë e aktit normativ për amendimin e kontratës me kompaninë Pfizer, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjatë fjalës në seancë, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, iu bëri thirrje edhe deputetëve të opozitës që të bëhen pjesë e përpjekjeve për të nxitur qytetarët të vaksinohen.
“Në luftën për jetën, avantazhi i vetëm që kemi sot është vaksina. Në luftën për jetën, çdo vaksinë e shtuar sot, frenon përhapjen e infeksionit dhe frenon rrezikun e jetës së dhjetëra njerëzve nesër. Flasim për shëndetin publik, dhe mjafton kjo për t’i dhënë kësaj kauze një dimension që shkon përtej përfitimeve të vogla që sjell retorika e mbushur me akuza pa pikë baze", u shpreh Manastirliu.
Duke folur për sigurimin e vaksinave ajo tha se “Kanë mbërritur dhe po shpërndahen sot edhe 188 mijë doza vaksine AstraZeneca, falë mbështetjes së Italisë mike, si pjesë e instrumentit COVAX, duke mbërritur në mbi 2 milionë e 262 mijë doza të ardhura në vend. Brenda këtij viti do të arrijmë në mbi 3 milionë doza të mbërritura, dhe kemi siguruar që deri në gjysmën e dytë të vitit tjetër mbi 5 milionë doza në total, me kontrata e marrëveshje tashmë të siguruara”.
Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, theksoi se rendi i ditës i seancës vendos edhe njëherë pandeminë në qendër të debatit parlamentar.
"Këto ditë është diskutuar në komisione, sigurisht nga përfaqësuesit e opozitës, për vaksinimin dhe diferencën mes shifrave të raportuara nga qeveria dhe ato të raportuara nga entitete ndërkombëtare. Dhe si në traditën më të keqe të kësaj qeverie, ajo që thuhet, nuk bëhet", u shpreh Basha.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale qëllimi i ndryshimit të kontratës bazë me kompaninë Pfizer është për sigurimin e mbi 500 mijë vaksinave.
Ndërkohë, në Shqipëri vijon vaksinimi masiv në pikat e përqendruara të vaksinimit, në qendrat shëndetësore, poliklinika si dhe nëpërmjet njësive të lëvizshme në komunitet. Sipas autoriteteve shëndetësore, që prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 1.778.093 doza të vaksinës kundër COVID-19, ku prej tyre 820.946 qytetarë i kanë kryer të dy dozat e vaksinës.
Që nga fillimi i pandemisë në Shqipëri janë regjistruar gjithsej 173.190 raste pozitive me COVID-19, mes tyre 2.734 persona kanë ndërruar jetë dhe 162.322 janë shëruar.