Admir Fazlagikj
16 Korrik 2019•Përditësim: 16 Korrik 2019
Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, i cili qëndron për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, ka filluar takimin me kryediplomatin e këtij vendi, Nikolla Dimitrov, raporton Anadolu Agency (AA).
Paraprakisht, Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut njoftoi se kryediplomati turk, Çavuşoğlu, qëndron për vizitë zyrtare në vend me ftesë të homologut të tij, Dimitrov.
Sipas njoftimit të ministrisë, në takim pritet të shkëmbehen idetë në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë midis dy vendeve tradicionalisht miqësore, si dhe për mundësitë për forcimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.
Gjatë vizitës, në hapësirat e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, nga ana e dy kryediplomatëve do të lëshohet zyrtarisht në përdorim pajisja teknike për digjitalizimin e arkivit diplomatik të ministrisë. Projekti është mbështetur nga Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë, ndërsa është financuar nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA).
Në kuadër të vizitës së tij zyrtare, është paraparë që Çavuşoğlu të takohet edhe me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe zv/kryeministrin për çështje evropiane, Bujar Osmani.
Shefi i diplomacisë turke vizitën zyrtare në Maqedoninë e Veriut e filloi dje, ku mori pjesë në një panel diskutimi në Shkup në kuadër të 15 korrikut, Ditës së Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar, program i organizuar nën patronazhin e Ambasadës turke dhe në mbështetje të TIKA-s, Institutit “Yunus Emre”, Anadolu Agency (AA), Fondacionit Maarif dhe Universitetit Ndërkombëtar Ballkanik në Shkup (IBU).