Abdula Berisha
25 Shtator 2019•Përditësim: 26 Shtator 2019
Asociacioni i Industrisë Metalike dhe Elektrike (MAMEI) nga Maqedonia e Veriut sot dhe nesër organizon panairin e industrisë së lehtë "Macedonia Manufacturing Expo 2019", në të cilin pritet pjesëmarrje e mbi 100 kompanive, raporton Anadolu Agency (AA).
Në hapjen solemne të panairit, të pranishëm ishin ministri i Ekonomisë i Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi, përfaqësues nga MAMEI, diplomatë, afaristë, si dhe nxënës të shkollave të mesme profesionale.
Ministri Bekteshi në fjalimin e tij u shpreh se evenimentet e këtilla u japin një vlerë të shtuar masave dhe politikave që i ndërmerr ekzekutivi. Ai tha se kjo është një mundësi e mirë për kompanitë e vogla dhe të mesme për të arritur kontrata të reja me partnerë të huaj.
"Ne në vazhdimësi do t'i mbështesim evenimentet e këtilla, do t'i mbështesim organizatat e këtilla, me siguri në partneritet edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë, me të vetmin qëllim që kompanitë tona të jenë më konkurrente në rajon, në nivel evropian, në nivel global, por njëkohësisht duke krijuar bashkëpunime të reja, duke fituar tregje të reja, të krijojnë edhe vende të reja të punës në vendin tonë", tha Bekteshi.
Kryetarja e MAMEI, Marta Naumova Grnarova, tha se kjo është hera e tretë që organizohet ky panair, duke theksuar se çdo vit shënohet numër më i madh i kompanive pjesëmarrëse.
"Këtë vit, kemi zbatuar edhe disa risi në këtë eveniment, me atë që kemi të pranishme kompani nga i gjithë rajoni, mbi 90 furnizues, mbi 30 blerës të huaj. Për herë të parë kemi 'Expo zonë' në të cilën janë të prezantuara 22 kompani nga rajoni dhe Bashkimi Evropian", tha Grnarova.
Siç u tha edhe gjatë prezantimeve, pjesë e evenimentit dyditor është edhe paneli edukativ për nxënësit e shkollave të mesme profesionale, si dhe takime "B2B" mes përfaqësuesve të kompanive nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kosova, Serbia, Greqia, Sllovenia, Gjermania, Holanda dhe Japonia.