Husamedin Gina
17 Dhjetor 2019•Përditësim: 18 Dhjetor 2019
Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale e Maqedonisë së Veriut, Mila Carovska, bashkë me ministren e Financave, Nina Angellovska, kanë promovuar programin "Aktivizimi i grupeve të rrezikuara në tregun e punës", i cili ka të bëjë me mbështetjen, mentorimin dhe punësimin e qytetarëve që gjenden në sistemin e mbrojtjes sociale, raporton Anadolu Agency (AA).
Carovska tha se reforma sociale nuk është asgjë tjetër përpos inkuadrim i të varfërve në tregun e punës, si dhe i atyre që me vite kanë qenë nën mbrojtjen sociale.
"Vetëm nga muaji qershor deri më sot, 370 persona të cilët kanë qenë shfrytëzues të mbrojtjes sociale apo të të hyrave të garantuara, me reformën e re janë punësuar vetëm gjatë këtyre 6 muajve", theksoi Carovska.
Ajo gjithashtu tha se përpos punësimit, personat nëpërmjet programit fitojnë edhe mbështetje psikologjike dhe sociale me qëllim që të kthejnë shprehitë e punës.
Ministrja Angellovska tha se për këtë projekt janë dedikuar gjithsej 4.1 milionë euro, prej të cilave 3.3 milionë euro janë mjete nga grandet e BE-së ndërsa pjesa tjetër janë mjete buxhetore.
"Qëllimi i projektit të cilin e prezantuam sot është inkuadrimi efektiv i personave të rrezikuar dhe atyre që pranojnë ndihmë sociale në tregun e punës dhe arritja e rezultateve më të mira të mundshme sociale përmes shërbimeve cilësore të personalizuara dhe zhvillimit të aftësive", tha Angelovska.
Ajo gjithashtu tha se me këtë projekt do të përfshihen 1.200 persona që janë shfrytëzues të të hyrave të garantuara.