Fatjon Cuka
12 Maj 2023•Përditësim: 14 Maj 2023
Policia e Shqipërisë ka arrestuar kandidatin e disa partive opozitare për kryetar të Bashkisë Himarë, në Qarkun e Vlorës, Alfred Beleri, së bashku me një person tjetër, të akuzuar për veprën penale “korrupsioni aktiv në zgjedhje”, transmeton Anadolu.
Në një njoftim nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shqipërisë thuhet se në kuadër të operacionit policor të koduar "Matrix", është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasve A. B., 51 vjeç, dhe P. K., 44 vjeç, për veprën penale “korrupsion aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim.
"Nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, informacione në lidhje me disa shtetas të dyshuar të përfshirë në veprimtarinë e kundërligjshme të shit-blerjes së votës, për zgjedhjet vendore të datës 14 maj 2023, në qytetin e Himarës dhe në fshatrat që janë pjesë e bashkisë Himarë, duke iu ofruar qytetarëve të ndryshëm shuma të caktuara parash kundrejt dhënies së votës për një nga kandidatët konkurrues", thuhet në njoftim.
Arrestimi i Belerit, i cili njihet si anëtar dhe mbështes i minoritetit grek në Shqipëri dhe që është regjistruar zyrtarisht si kandidat i disa partive opozitare nën koalicionin "Bashkë Fitojmë", ka shkaktuar reagime të partive politike dhe të zyrtarëve të institucioneve të ndryshme në Shqipëri, por edhe në Greqi.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në lidhje me rastin në fjalë, në rrjetet sociale shkroi: "Ndalimi i kandidatit të opozitës për Himarën F. Beleri me urdhër të prokurorisë përbën një sprovë të madhe për drejtësinë në vigjilje të zgjedhjeve, që do të thotë se shkelja e ligjit nga ana e tij duhet të jetë e provuar dhe ndalimi i tij ligjërisht i motivuar”.
"Beteja jonë me atë kandidat nuk ka asnjë lidhje me hetimet apo përfundimet e prokurorisë, prandaj duke respektuar pavarësinë e plotë të organeve të drejtësisë, i bëj thirrje të gjithëve të mos nxitohen me konkluzione politike, po të presin me durim fjalën dhe provat e drejtësisë", shkruan Rama.
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, në reagimin e saj në rrjetet sociale shkruan se “blerja e votës është një shkelje e rëndë në legjislacionin tonë dhe të gjitha institucionet e zbatimit të ligjit kanë prioritet luftimin e saj gjatë kohës së zgjedhjeve".
"Kjo vlen për të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë, përfshirë vëllezërit dhe motrat e minoritetit grek që marrin pjesë në zgjedhjet tona”, tha ajo.
“Kandidatura e shtetasit shqiptar, Alfred Beleri, që kandidon për zgjedhje nga bashkëqytetarët e tij, nuk kërkon ndonjë trajtim të veçantë. Ai është i barabartë para ligjit si kushdo tjetër. I takon vetëm prokurorëve dhe gjyqtarëve që ta trajtojnë këtë çështje në përputhje me provat. Me respekt u kërkojmë miqve tanë grekë në Athinë që të monitorojnë nga afër e me durim zhvillimin e çështjes, duke lejuar drejtësinë shqiptare të kryejë punën e saj, pa presione të jashtme apo mesazhe përçarëse. Është mirë të mbajmë të informuar Brukselin, por duhet të presim edhe shfaqjen e fakteve”, shtoi Xhaçka.
Ish-presidenti i Shqipërisë dhe kryetari i partisë opozitare, Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në një deklaratë për mediat arrestimin e kandidatit të partive opozitare e ka konsideruar "inskenim të policisë".