Furkan Abdula
14 Korrik 2021•Përditësim: 15 Korrik 2021
Instituti Yunus Emre në Tiranë zhvilloi konferencën me temë "Historia e Gjuhës Turke", raporton Anadolu Agency (AA).
Në konferencën ku mori pjesë si folës Prof. Dr. Yavuz Kartallıoğlu, drejtori i Institutit Yunus Emre për arsimin në Turqisht, morën pjesë nxënësit, kursantët dhe të ftuar të ndryshëm.
Në një deklaratë për AA, Kartallıoğlu rikujtoi se konferenca është për ata që mësojnë turqishten si gjuhë të huaj. Ai tha se "në përgjithësi nxënësit tanë që mësonin turqishten si gjuhë të huaj, nuk e dinin historinë e gjuhës turke, pra në cilën periudhë ka filluar turqishtja, cilat janë veprat e para të saj, në cilën periudhë të historisë është shkruar dhe cilët janë në të vërtetë folësit e turqishtes që ata kanë mësuar sot".
Ai tha se është përpjekur t'u shpjegojë nxënësve se folësit e turqishtes së sotme në të vërtetë janë turqit oguzë. Kartallıoğlu tha se ka prezantuar edhe disa materiale për t'u përdorur në mësimin e gjuhës së huaj.
"Në këtë konferencë fola për dokumentet e para shkrimore të turqve, për rajonin e Mongolisë në të cilën ato ndodhen. Kam paraqitur fotografi lidhur me dokumentet e para të shkruara. Kam shpjeguar se me çfarë ngjason alfabeti i parë që kemi përdorur. Më pas me një turqishte të thjeshtë me një gjuhë që ata mund ta kuptojnë, u përpoqa të shpjegoj ecurinë e historisë së gjuhës turke në ditët e sotme", shtoi Kartallıoğlu.
Ai theksoi se nga prezantimi që bëri ka vërejtur se kanë përfituar edhe hulumtuesit që punojnë mbi historinë e gjuhës shqipe. Në fjalën e tij Kartallıoğlu potencoi se "Mendoj se kjo do të jetë e dobishme kryesisht për mësuesit që kanë dëgjuar mësimin, kryesisht për mësuesit lokalë të turqishtes. Përveç materialeve që janë përgatitur gjithmonë, mendova që edhe vetë mësuesit e turqishtes duhet të ofrojnë mësimin e gjuhës turke duke përdorur disa materiale".