Fatjon Cuka
13 maj 2019•Përditësim: 13 maj 2019
Në Shqipëri është mbajtur nga partitë opozitare protesta e radhës antiqeveritare e cila është përfshirë edhe nga tensionet dhe incidentet, raporton Anadolu Agency (AA).
Protesta është organizuar në Tiranë nga Partia Demokratike (PD) dhe Partia Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) me mbështetjen edhe të partive të tjera opozitare, me kërkesën për krijimin e një qeverie tranzitore dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, ndërsa u angazhuan edhe qindra forca policore.
Mbështetësit e opozitës të ardhur nga qytetet e ndryshme të vendit kanë protestuar fillimisht para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit", ndërsa protestuesit kanë hedhur kapsolla, tymuese dhe sende të ndryshme ndaj selive të institucioneve.
Protesta ka vazhduar më pas para selisë së disa institucioneve të tjera, si para selisë së Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shqipërisë, selisë së sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë, Ministrisë së Brendshme, dhe në fund para Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, ndërsa një punonjës i policisë ka mbetur i plagosur.
Lideri i opozitës dhe njëkohësisht kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, tha gjatë fjalës së tij në protestë se "Kërkojmë një të drejtë të pakontestueshme të kushtetutës tonë, themelin e vlerave evropiane, votën e lirë dhe të ndershme".
"Ja ku e kemi garancinë, marshimin më historik të protestës. Do të jemi të gjithë bashkë në këtë marshim të shpresës, marshimin e lirisë dhe marshimin e demokracisë", tha Basha gjatë protestës.
Nga ana tjetër, Partia Socialiste e Shqipërisë, e drejtuar nga kryeministri Edi Rama, ka filluar përgatitjet për zgjedhjet vendore të 30 qershorit, duke prezantuar kandidatët për kryetar të bashkive.
Kujtojmë se protesta e mbajtur më 11 maj u përfshi nga tensionet dhe incidentet ku mbetën të plagosur disa policë dhe protestues, ndërsa u arrestuan dhjetëra persona të akuzuar për aktet e dhunës.
Partitë opozitare që pas dorëzimit të mandatave parlamentare në muajin shkurt kanë organizuar disa protesta, ndërsa insistojnë në organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.