Fatjon Cuka
15 Qershor 2020•Përditësim: 16 Qershor 2020
Në Shqipëri janë regjistruar edhe 69 raste pozitive me koronavirusin e ri (COVID-19), një shifër rekord e rasteve të reja, duke e rritur numrin e përgjithshëm të rasteve në 1.590, transmeton Anadolu Agency (AA).
Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 319 testime dhe rastet pozitive janë regjistruar në Tiranë, Shkodër, Krujë, Vlorë, Durrës, Elbasan, Kamëz, Mallakastër, Pukë dhe Lushnje, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
"Kjo rritje lidhet me uljen e vigjilencës dhe moszbatimin e rregullave të përcaktuara nga autoritetet shëndetësore", ka theksuar ministria.
Sipas ministrisë, që i referohet Institutit të Shëndetit Publik, gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 11 qytetarë, duke e rritur numrin e të shëruarve në 1.055, dhe 36 persona gjithsej kanë ndërruar jetë që nga fillimi i pandemisë. Aktualisht në vend janë 499 persona aktivë me COVID-19.
Deri më tani në Shqipëri janë kryer gjithsej 20.813 testime dhe sipas institucioneve shëndetësore vazhdon puna e epidemiologëve në terren për gjurmimin e rasteve.
Për shkak të COVID-19 në Shqipëri vazhdon gjendja e fatkeqësisë natyrore që është në fuqi deri më 23 qershor.