Fatjon Cuka
25 Mars 2020•Përditësim: 25 Mars 2020
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka njoftuar se me konfirmimin e 23 rasteve të reja, numri i rasteve me koronavirusin e ri (COVID-19) në Shqipëri është rritur në 146, përfshirë edhe 5 personat që kanë ndërruar jetë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas njoftimit të ministrisë, në 24 orët e fundit janë konfirmuar 23 raste të reja me COVID-19 dhe janë kryer 111 testime.
"Deri në këto momente janë testuar 1041 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 146 qytetarë. Harta e të prekurve nga COVID-19 është shtrirë tashmë edhe në Krujë dhe zgjerohet në Tiranë, Korçë, Fier, Durrës, Lezhë, përveç rasteve të zbuluar për të cilat po kryhet hetimi epidemiologjik dhe ku po punohet me shumë intensitet nga epidemiologët për gjurmimin e kontakteve të rasteve pozitive dhe ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit të infeksionit", theksohet në njoftim.
Sa i përket shpërndarjes gjeografike të rasteve me koronavirus 83 janë në Tiranë, 14 në Fier, 11 në Korçë, 9 në Durrës, 5 në Vlorë, nga 4 në Lushnje, Kavajë dhe Lezhë, nga 3 në Elbasan dhe Shkodër, nga 2 në Rrogozhinë dhe Has dhe nga 1 rast në Krujë dhe Berat.
Këshilli i Ministrave i Shqipërisë ka vendosur shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në të gjithë vendin për shkak të koronavirisut të ri (COVID-19), ku sipas Kushtetutës së Shqipërisë mund të vendosen masa të jashtëzakonshme.
Institucionet në Shqipëri aktualisht kanë marrë masa të shumta kundër përhapjes së koronavirusit të ri, ku përveç mbylljes së institucioneve arsimore, është vendosur edhe ndalimi i hyrjeve me vendet fqinje për udhëtarët, pezullimi i fluturimeve me disa vende, pezullimi i transportit urban dhe i qarkullimit të automjeteve private, pezullimi i aktiviteteve futbollistike dhe kufizimi i lëvizjes së qytetarëve.