Fatjon Cuka
28 Nëntor 2024•Përditësim: 29 Nëntor 2024
Në Shqipëri shënohet sot Dita e Flamurit dhe Pavarësisë, ndërkohë
janë organizuar ceremoni dhe aktivitete të ndryshme në Tiranë, Vlorë dhe
qytete të tjera të vendit, raporton Anadolu.
Ceremonia qendrore
me rastin e 112-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë është
mbajtur në Sheshin e Flamurit në Vlorë me pjesëmarrjen e Presidentit të
Shqipërisë, Bajram Begaj, Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Elisa
Spiropali, Kryeministrit Edi Rama, Kryeministrit të Kosovës, Albin
Kurti, dhe zyrtarëve të tjerë.
Zyrtarët vendosën kurora me lule dhe bënë homazhe pranë varrit monumental të Ismail Qemalit.
Në
kuadër të festës në Tiranë është mbajtur "Parada e shqiptarëve". Në
paradën e organizuar në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit" kanë marrë pjesë
përfaqësues të institucioneve, ansamble muzikore, artistë, nxënës dhe
personalitete nga fusha të ndryshme, nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e
Veriut dhe diaspora shqiptare.
Gjithashtu, kryetari i Bashkisë së
Tiranës, Erion Veliaj, mbajti një takim me drejtuesit e bashkive dhe
komunave shqiptare nga rajoni, ndërsa mbajti edhe një fjalë
përshëndetëse.
"Sot jemi në ditët tona më të mira, ndaj është
shumë e rëndësishme të kuptojmë nga kemi ardhur, por dhe të frymëzohemi
ku duam të shkojmë", tha Veliaj.
Me rastin e 28 Nëntorit, zyrtarë të lartë, politikanë dhe drejtues të institucioneve kanë përcjellë mesazhet e tyre të urimit.
"Kudo
ku janë bashkatdhetarët tanë, i ftoj nga Vlora e Pavarësisë që, në çdo
angazhim që kanë e iniciativë që ndërmarrin, të kenë vetëdijen e
vendosmërisë, bukurisë, sakrificës, e të çojnë përpara arritjet e
Shqipërisë e kombit shqiptar", ka shkruar presidenti Begaj në rrjetet
sociale.
Një mesazh urimi në rrjetet sociale kanë publikuar edhe kryeministri Rama dhe kryeparlamentarja Spiropali.
Tirana
dhe qytete të tjera të Shqipërisë janë dekoruar me flamuj dhe simbole
të tjera kombëtare, ku sheshet, shtëpitë dhe godinat e institucioneve
janë zbukuruar me ngjyrat kuqezi.
Në Shqipëri 28 Nëntori shënohet
si festë zyrtare dhe festohet si Dita e Flamurit dhe Pavarësisë, pasi më
28 nëntor të vitit 1912 Shqipëria shpalli pavarësinë.