Fatjon Cuka
14 qershor 2024•Përditësim: 21 qershor 2024
Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë një treg të rrobave në qytetin e Shkodrës, ndërkohë është përhapur edhe në banesa, transmeton Anadolu.
Zjarri ka shkaktuar dëme materiale në ambientet e tregut, por edhe në disa banesa.
Në një njoftim nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër thuhet se zjarri ka rënë në një treg me rroba të përdorura. Sipas policisë, grupi hetimor po punon për zbardhjen e shkakut të rënies së zjarrit.
Nga autoritetet shqiptare është konfirmuar paraprakisht se nuk ka persona të lënduar nga zjarri.
Në lidhje me këtë ngjarje, ka reaguar edhe ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Taulant Balla, i cili në rrjetet sociale shkruan se shërbimet zjarrfikëse kanë punuar për fikjen e një zjarri tepër të madh.
Sipas ministrit Balla, forcat e policisë kanë evakuuar banorët e banesave në zonën përreth zjarrit, ndërsa Forcat e Armatosura të Shqipërisë kanë ndërhyrë nga ajri përmes helikopterit.
Ndërkohë, kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, në një deklaratë për mediat ka konfirmuar se nuk ka patur dëme në njerëz dhe se situata është nën kontroll.