Eren Beksaç
15 Tetor 2022•Përditësim: 16 Tetor 2022
Në kuadër të “Projektit të avancimit teknologjik në arsimin në gjuhën turke në Kosovë”, u bë shpërndarja e tabletave për nxënësit e shkollave fillore të klasave të para që mësojnë në gjuhën turke në mbarë vendin, raporton Anadolu Agency (AA).
Në ceremoninë e shpërndarjes së mbajtur në Degën e Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP) në Prishtinë në bashkëpunim me Ambasadën e Türkiye-s dhe Shoqatën e Mësimdhënësve Turq të Kosovës, morën pjesë Fikrim Damka, ministër i Zhvillimit Rajonal të Kosovës dhe kryetar i KDTP-së; Çağrı Sakar, ambasadori i Türkiye-s në Prishtinë; përfaqësues të organizatave turke në Kosovë, prindër dhe nxënës.
Në një prononcim për AA, ministri Damka tha se projekti i shpërndarjes së tabletave buroi gjatë vizitës së ministrit turk të Arsimit Mahmut Özer në Kosovë vitin e kaluar.
Ai tha se këtë vit u shpërndanë rreth 200 tableta për fëmijët që kanë filluar klasën e parë.
Ndërkaq, ambasadori Sakar tha se synimi i tyre është që fëmijëve t’u mundësojnë edukim sa më të mirë, dhe që, siç tha ai, në të ardhmen ata “ta çojnë tutje flamurin e vëllazërisë midis Türkiye-s dhe Kosovës”.
Nxënësit që morën tableta falënderuan Republikën e Türkiye-s për dhuratat.
Vitin e kaluar, për nxënësit dhe mësimdhënësit turq në mbarë vendin ishin shpërndarë 2.860 tableta.