Eren Beksaç
15 Tetor 2022•Përditësim: 17 Tetor 2022
Në Kosovë është mbajtur program trajnimi me temën "Masat që duhen marrë kundër sulmeve vetëvrasëse” në kuadër të Projektit Ndërkombëtar të Bashkëpunimit për Trajnimin Policor, i realizuar në bashkëpunim midis Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) dhe Policisë së Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).
Në ceremoninë e ndarjes së certifikatave të mbajtur në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës, morën pjesë koordinatori i TIKA-s në Kosovë, Cihan Dinçer, majorja e Departamentit të Trajnimit të Policisë së Kosovës, Tahire Haxholli, ekipi i ekspertëve të Departamentit të Mjekësisë Ligjore të dhe pjesëmarrësit e trajnimit.
Duke folur për AA, koordinatori Dinçer tha se trajnimet për Policinë e Kosovës janë realizuar me qëllim të shkëmbimit reciprok të përvojave, zhvillimit të vetëdijes së përbashkët në luftën kundër krimit dhe sigurimit të unifikimit në terminologji.
Dinçer tha se përveç trajnimit mbi sulmet vetëvrasëse, Policisë së Kosovës i është ofruar trajnim edhe për sigurinë kibernetike dhe hetimin për fëmijët e zhdukur.

“Ne do të vazhdojmë trajnimin policor për paqen, sigurinë, mirëqenien dhe qetësinë e Kosovës edhe në vitin 2023, sërish në bashkëpunim dhe koordinim me Drejtorinë Përgjithshme të Policisë”, tha Dinçer.
Trajnuesi specialist i bombave, Feridun Yurt, deklaroi se kanë marrë reagime pozitive nga pjesëmarrësit në lidhje me trajnimin.
“Së pari, ne kemi dhënë një trajnim bazë për 23 pjesëmarrës se çfarë është një bombë dhe si përgatitet. Më pas kishim trajnimin për sulmet vetëvrasëse nga këmbësorë dhe automjete. Ne u dhamë informacion të detajuar pjesëmarrësve se si mund të bëhen sulme dhe çfarë masash mund të marrin kundër tyre, në lidhje me metodat e zbulimit”, deklaroi Yurt.
Majorja Hoxholli falënderoi Türkiye-n, duke shprehur shpresën që trajnimet e shtetit turk për rritjen e kapacitetit të policisë do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.
Trajnimi zgjati pesë ditë dhe në të morën pjesë 23 pjesëtarë të Policisë së Kosovës.