Furkan Abdula
28 Prill 2022•Përditësim: 28 Prill 2022
Universiteti Ndërkombëtar Ballkanik (IBU) me seli në Shkup, organizoi një program iftari me rastin e muajit të Ramazanit, raporton Anadolu Agency (AA).
Në iftarin e organizuar në kampusin e IBU-së, morën pjesë kryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë (TBMM), Mustafa Şentop, zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Bojan Mariçiq, ambasadori i Turqisë në Shkup, Hasan Mehmet Sekizkök, Kryetari i Bordit Drejtues të IBU-së, Recep Süleyman Özdil, nënkryetari i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Hysni Ismaili, deputetë të Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut, politikanë, diplomatë, përfaqësues të OJQ-ve dhe mysafirë të tjerë.
Në fjalën e tij në iftar, zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut Mariçiq tha se Ramazani është një periudhë kur zemrat e njerëzve mblidhen rreth vlerave të përbashkëta, duke theksuar se këto vlera, të cilat i përkasin të gjithëve pa dallim feje dhe kombësie, kanë të bëjnë me besimin në Zotin.

Ai theksoi se agjërimi, mëshira, respekti, solidariteti, mirësia, dashuria dhe falja janë vlera që na bashkojnë si komb.
“Ky është një muaj ku mesazhet e paqes, dialogut dhe dashurisë mbizotërojë për të mirën e të gjithëve, ku theksohet barazia, solidariteti dhe ndjeshmëria ndërmjet tyre. Ky po ashtu është një muaj kur krijohen ndjenja më të thella të afërsisë dhe ndjenja të unitetit”, theksoi Mariçiq.
“Ju uroj që dhjetë ditët e fundit të muajit më të madh t’i kaloni me adhurim, punë të mira dhe mendime të mira. Uroj që lutjet tuaja të pranohen në Natën tuaj të Kadrit, e cila është më e mirë se një mijë muaj. Ju uroj ta festoni festën me shëndet dhe lumturi”, shtoi ai.
Ndërkaq, ambasadori Sekizkök u shpreh se edhe një herë e panë rëndësinë e ruajtjes së vlerave që përbëjnë kulturën e të jetuarit së bashku në këto troje gjatë Ramazanit.

“Ngjarjet e trishta që mund të ndodhin herë pas here në botën tonë dhe në mjedisin tonë të afërt na kujtojnë vlerën e virtyteve si dashuria, vëllazëria dhe solidariteti. Pa dyshim, dashuria për njerëzimin qëndron në themel të gjithçkaje. Si trashëgimtarë të qytetërimit në këto troje, detyra jonë është të vazhdojmë të ecim në rrugën e dashurisë. Synimi ynë është të fitojmë njerëzit përreth nesh, të cilët mund të kenë vështirësi të orientohen drejt miqësisë dhe vëllazërisë, me zemrat tona të gjera dhe me horizontet tona bashkuese dhe integruese”, tha Sekizkök.
Özdil, Kryetar i Bordit Drejtues të IBU-së, tha se do të punojnë “me të gjitha forcat për të mbajtur flamurin që morëm në rrugën që u nisëm për të qenë një universitet i mirë arsimor dhe kërkimor, me mbështetjen dhe fuqinë që marrim me ju”.
Nga ana tjetër, rektori i IBU-së, Mehmet Dursun Erdem, tha se është i lumtur që u bashkuan në një program iftari, që nuk kanë mundur t'i realizojnë për shkak të pandemisë globale.
Erdem tha se ata përpiqen të përmbushin përgjegjësitë e tyre si IBU dhe t’u shërbejnë të rinjve që jetojnë në rajonin e Ballkanit.