Husamedin Gina,Edıta Zekjırovıkj
29 Korrik 2021•Përditësim: 29 Korrik 2021
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, në hapjen e Forumit Ekonomik Rajonal në Shkup ka deklaruar se sot fillon një epokë e re e bashkëpunimit, raporton Anadolu Agency (AA).
Me iniciativë të kryeministrit Zaev, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në mbështetje të Odave të Tregtisë të tre vendeve, në Shkup sot mbahet Forumi Ekonomik Rajonal.
Në fjalën e tij në hapjen e forumit me presidentin serb dhe kryeministrin shqiptar, Zaev njoftoi se përfaqësues nga gjithsej 350 ndërmarrje nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia janë pjesë e forumit të sotëm në Shkup.
"Ky është një vullnet i fortë politik, ky është angazhimi ynë i qartë për interesin më të lartë publik dhe për të mirën e popujve tanë. Ne lidhemi për zhvillimet e ekonomive tona, për ndërtimin e një ekonomie të përbashkët, për zhvillimin e rajonit, për një jetë më të mirë për secilin nga qytetarët tanë", tha Zaev.
Zaev theksoi se Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia janë të lidhura me një qëllim të qartë, të hapur dhe publik, në mënyrë që popujt e të tre vendeve të mund të ndjejnë menjëherë përfitimet e drejtpërdrejta ekonomike të ndihmës që do të ofrohen.
"Presim që përfitimet të ndihen shumë shpejt në buxhetin e brendshëm të miliona familjeve, në cilësinë e jetës së miliona qytetarëve. Për të gjithë ne padyshim është e qartë se vetëm me një rajon të integruar dhe të lidhur mund të ecim drejt qëllimit tonë themelor, anëtarësimit në BE. Sepse ne nuk mund të jemi asgjë tjetër veçse vende nga Ballkani Evropian", tha Zaev.
Ndër të tjera, kryeministri Zaev përkujtoi se ajo që po ndërtohet sot buron nga vlerat evropiane dhe se në themelet e saj përmban në mënyrë të barabartë katër liritë e BE-së, përkatësisht lirinë e lëvizjes së njerëzve, të mallrave, kapitalit dhe shërbimeve.
Duke theksuar se Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia kanë potencial të madh për rritje dhe zhvillim të qëndrueshëm, kryeministri Zaev tha se ka rreth 18 milionë njerëz në rajonin tonë dhe ky është një kapital shumë serioz për të forcuar ekonomitë tona.
- Vuçiç: Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet të punojnë së bashku për të tërhequr investime
Nga ana tjetër, presidenti Vuçiç theksoi rëndësinë e besimit midis vendeve në drejtim të zhvillimit të marrëdhënieve në rajon, marrëdhënieve me BE-në dhe botën. Megjithatë, ai kujtoi se duke ecur drejt rrugës evropiane, nuk duhet të besohet se dikush tjetër do të punojë për të mirën e vendeve nëse vetë qytetarët nuk e bëjnë atë.
"Me rëndësi për të gjithë ne, si për Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, ashtu edhe për ne, është t'u tregojmë atyre se ne jemi të aftë të vendosim për veten tonë dhe të përmirësojmë jetën e qytetarëve tanë", tha Vuçiç.
Presidenti serb konsideron se Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet të punojnë së bashku për të tërhequr investime.
"Sot në Serbi kemi një problem me mungesën e fuqisë punëtore. Dhe si do të tërheqim një investitor të madh nëse nuk i themi se ne po luftojmë së bashku për këtë investim si me Maqedoninë e Veriut ashtu edhe me Shqipërinë, sepse ata mund të na ndihmojnë me punë të kualifikuar dhe të pakualifikuar. Kështu që ne mund të hapim një fabrikë si në Vranjë ashtu edhe në Kumanovë", shtoi Vuçiç.
Më tej, ai theksoi se para se gjithash duhet parë përparimi i standardit të jetës së qytetarëve dhe se nga ky bashkëpunim qytetarët vetëm mund të përfitojnë e jo të dëmtohen.
Presidenti Vuçiç tha se së bashku me përfaqësuesit e Odave Ekonomike të Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Shqipërisë, ata diskutuan përgatitjet e një iniciative konkrete për të siguruar përfitime nga të cilat do të përfitojnë të gjithë qytetarët.
Në hapjen e forumit foli edhe kryeministri Rama, pas çka të tre liderët morën pjesë në panelin e titulluar "Ballkani i lidhur".