Meltem Bulur
09 Shtator 2016•Përditësim: 10 Shtator 2016
ANKARA (AA) – Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian (BE) për Marrëdhënie të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini u shpreh se “Ballafaqohemi me vështirësi të rëndësishme, por ka edhe shume interesa të veçanta të cilat mund t’i ndjekim. Për këtë arsye, sa i përket liberalizimit të vizave, azhurnimit të Unionit Doganor dhe veçanërisht përkujdesjes për refugjatët sirianë dhe arsimimit të fëmijëve, do të vazhdoj mbështetja jonë për Turqinë dhe punimet tona konstruktive”, raporton Anadolu Agency (AA).
Mogherini foli në konferencën e përbashkët për media që u organizua pas Takimit të Dialogut Politik mes Turqisë dhe BE-së në nivel të lartë që u mbajt në Ankara Palas, ku deklaroi se është i rëndësishëm fakti që Turqia është vend kandidat i BE-së, gjë që mundëson që në mënyrë të hapur, të sinqertë dhe me respekt të bisedohet për dialogun në nivel të lartë dhe për tema të tjera.
Duke shprehur mesazhe ngushëllimi dhe solidariteti me popullin dhe institucionet turke me rastin e tentativës së pasuksesshme për grusht shteti më 15 korrik, Mogherini theksoi se e kanë vlerësuar me respekt qëndrimin edhe të partive opozitare kundër grushtit të shtetit, në emër të zgjerimit të demokracisë.
Mogherini tha se BE-ja që nga fillimi ka shfaqur qëndrimin e saj ndaj këtij sulmi. “Këtë kryengritje që u realizua ndaj të gjitha institucioneve e dënuam me zë të lartë”, tha ajo.
Duke e komentuar takimin e sotëm, Mogherini tha se ai ka një mesazh shumë pozitiv. “Jemi të përkushtuar për dialog dhe punime të përbashkëta në të gjitha fushat e bashkëpunimit. Kemi shumë gjëra për të bërë në fushën e marrëdhënieve dypalëshe, politikën e jashtme dhe bashkëpunimit rajonal. Ne do të vazhdojmë punën tonë në mënyrë konstruktive, duke u fokusuar në vështirësitë dhe interesat e përbashkëta. Ballafaqohemi me vështirësi të rëndësishme, por ka edhe shume interesa të veçanta të cilat mund t’i ndjekim. Për këtë arsye, sa i përket liberalizimit të vizave, azhurnimit të Unionit Doganor dhe veçanërisht përkujdesjes për refugjatët sirianë dhe arsimimit të fëmijëve, do të vazhdoj mbështetja jonë për Turqinë dhe punimet tona konstruktive”, theksoi Mogherini.
Ajo shtoi se një nga temat e takimit të sotëm ishte çështja kurde. “Jo vetëm në BE, por edhe brenda të gjitha shteteve anëtare PKK-në e konsiderojmë organizatë terroriste dhe kohëve të fundit kemi marrë një sere masash kundër saj. Është e nevojshme të ndalen të gjitha sulmet terroriste dhe dhuna, të braktisen armët dhe të fillohet një proces demokratik”, tha Mogherini.
Lidhur me çështjen e Sirisë, Mogherini theksoi se gjatë takimit kanë pasur mendime të përbashkëta që së shpejti në këtë të arrihet armëpushimi dhe të gjendet zgjidhje politike. “Biseduam për gjërat që mund të bëhen në drejtim të unitetit dhe integritetit territorial të Sirisë, si dhe për çështjen e përfshirjes së të gjitha palëve në këtë proces dhe krijimin e një vendi josektar. Do të vazhdojmë të punojmë në drejtim të këtyre aspekteve”, u shpreh Mogherini.
“15 korriku ishte tronditje për ne”
Ndërkaq, komisioneri i BE-së për Politika të Fqinjësisë dhe Zgjerim, Johannes Hahn, theksoi se kanë zhvilluar një takim tejet konstruktiv në një ambient miqësor. Hahn shprehu mbështetje për popullin turk, duke thënë se tentativa për grusht shteti më 15 korrik, krahas popullit turk, ka qenë tronditje e madhe edhe për evropianët për arsye se është ndërmarrë në një vend të afërt fqinj. “Edhe ne do të japim mbështetje aq sa mundemi për tejkalimin e kësaj gjendjeje”, tha Hahn.
Duke theksuar se është e nevojshme që ta vazhdojnë bashkëpunimin, Hahn tha: “Debatet në lidhje me azhurnimin e Unionit Doganor do të jenë temat më të rëndësishme në periudhën në vijim. Po përpiqemi që ta përfundojmë këtë. I nderuari Ömer Çelik i shpalosi mendimet e tij për hapjen e kapitujve 23 dhe 24. Edhe ne shpresojmë që të gjendet një zgjidhje për çështjen e Qipros. Kjo do të jetë një sinjal pozitiv për Turqinë dhe BE-në dhe në këtë mënyrë nxit iniciativën për hapjen e kapitujve 23 dhe 24. Ne veçmas i kemi bërë përgatitjet në lidhje me këtë. Mendojmë se kjo është temë e rëndësishme.”
Hahn ka folur edhe në lidhje me marrëveshjen e arritur më 18 mars, duke thënë se marrëveshje është një udhërrëfyes shumëpërfshirës për ta. Ai theksoi se në kuadër të marrëveshjes janë zvogëluar kalimet ilegale nga Turqia për në Greqi dhe se në të njëjtën kohë kanë arritur t’i parandalojnë aktivitetet e trafikantëve dhe rastet e vdekjes.
Në lidhje me tre miliardë eurot e premtuara për Turqinë nga BE-ja për vitin 2016 dhe 20017, Hahn u shpreh se deri më tani kanë realizuar kontratat për më shumë se 2,2 miliardë euro dhe se besojnë që në fund të muajit të dorëzojnë edhe 600 milionë euro.
Ndërkaq, duke e shprehur nevojën se duhet gjetur zgjidhje për arritjen e liberalizimit të vizave, Hahn tha se është me rëndësi që palët ta kuptojnë më mirë njëra-tjetrën.