Fatjon Cuka
08 Mars 2016•Përditësim: 08 Mars 2016
TIRANË (AA) - Sot ashtu si edhe në vendet e tjera, edhe në Shqipëri Shënohet Dita Ndërkombëtare e Gruas. Me rastin e kësaj dite Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë të Shqipërisë, ka organizuar aktivitetin "Jo vetëm në 8 Mars", në bashkëpunim me UNDP dhe Qeverinë Zvicerane, raporton Anadolu Agency (AA).
Ky takim, kishte në qendër promovimin e barazisë gjinore dhe luftën kundër dhunës ndaj gruas.
Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë të Shqipërisë, Blendi Klosi u shpreh se programet e nxitjes së punësimit shkojnë më shumë në shërbim të grave dhe nënave me fëmijë.
"Në Shqipëri ka vend për të dyja, edhe për të festuar edhe për të protestuar. Ne realisht jemi sot në një fazë që mund të ndihemi mirë, për prezencën dhe pushtetin që ka gruaja në administratë, si dhe për prezencën në qeverinë shqiptare. Sot ka tetë zonja në qeverinë shqiptare, një shifër shumë e lartë, rreth 42 përqind e kabinetit qeveritar. Programet e nxitjes së punësimit shkojnë më shumë në shërbim të grave dhe nenave më fëmijë, që e kanë të vështirë të futen në tregun e punës"- u shpreh Klosi.
Si politikë të ministrisë që ai drejton, Klosi ka përmendur edhe uljen dhe parandalimin dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.
Ndërkohë në Ditën Ndërkombëtare të Gruas janë organizuar edhe disa aktivitete të tjera nga institucionet shtetërore dhe shoqëria civile. Gjithashtu ka patur edhe një protestë të shoqërisë civile për barazinë gjinore në politikë.
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Grave, ministrja e Mbrojtjes të Shqipërisë, Mimi Kodheli u ka dërguar një letër urimi e inkurajimi të gjithë punonjëseve femra, ushtarake dhe civile, në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë.
"Forca dhe pushteti që ne kemi në duar, për ta bërë botën më të sigurt e më të mirë, është i pafund. Pushteti që ne kemi duhet të na shërbejë për të bërë më të mirën. Vetëm kështu çdo ditë e jetës sonë do të jetë një 8 Mars më vete"- shprehet Kodheli në letrën e saj.