Riyaz Khaliq Khaliq
02 Nëntor 2021•Përditësim: 03 Nëntor 2021
Pas konfirmimit të pranisë së ushtarëve amerikanë në shtetin ishull, Tajvani zbuloi sot se 40 prej trupave të tij po trajnohen nga forcat amerikane në Guam, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministri i Mbrojtjes i Tajvanit, Chiu Kuo-cheng, tha: "Shkëmbimet dhe bashkëpunimi midis Tajvanit dhe SHBA-së janë krijuar mirë për shumë vite".
I pyetur për ushtarët tajvanezë në bazën e sapondërtuar të SHBA-së në territorin e ishullit të Paqësorit në Guam, ministri u përgjigj: “Ky (trajnimi) është gjithashtu një pjesë e ciklit të shkëmbimeve… Nuk ka nevojë të spekulohet”, raportoi e përditshmja Taiwan News.
Kjo erdhi pasi presidentja tajvaneze Tsai Ing-wen javën e kaluar konfirmoi praninë e ushtarëve amerikanë në shtetin ishull për "qëllime stërvitore".
Ushtarët e brigadës 99 të Trupave Detare të Tajvanit theksohet se u janë nënshtruar "stërvitjeve njëmujore në kuadër të stërvitjeve të përbashkëta të zbarkimit amfib Tajvan-SHBA të quajtur 'Lu Hou or Roar', ku thuhet se po kryejnë manovra të sulmit ajror dhe të luftës urbane".
“Kërcënimi nga Kina po rritet çdo ditë”, tha Tsai në një intervistë me një kanal amerikan lajmesh, duke shtuar se dialogu me Pekinin do t'i mundësonte Tajvanit "një bashkëjetesë paqësore me Kinën".
Pekini pretendon se Tajvani, vendi ishull me 24 milionë banorë, është provinca e saj e shkëputur, ndërsa Taipei këmbëngul për pavarësinë e tij që nga viti 1949 dhe ka marrëdhënie diplomatike me të paktën 15 vende.
Tensionet janë përshkallëzuar kohët e fundit në ngushticën e Tajvanit, ku Kina dërgoi më shumë se 150 fluturime në atë që Tajvani e quan zonën e tij të identifikimit të mbrojtjes ajrore.
E pyetur nëse ushtarë amerikanë janë të vendosur në Tajvan, të cilin Kina e pretendon si provincën e saj "të shkëputur", Ing-wen tha: "Po", duke mos dhënë numrin e ushtarëve të vendosur.
Stërvitjet ushtarake "Lu Hou" për herë të parë u mbajtën në plazhin Fangliao në Qarkun jugor Pingtung në vitin 1958 dhe vazhduan të mbaheshin deri në vitin 1979, vit kur Washington-i zhvendosi lidhjet e saj diplomatike dhe zyrtare ushtarake në Pekin.
Në vitin 2017, megjithatë, administrata e atëhershme e Barack Obama-s nënshkroi Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare për shkëmbimet ushtarake midis Washington-it dhe Taipeit.
Instituti Amerikan në Tajvan, organi kryesor që përfaqëson SHBA-në në këtë vend, më vonë mori detyrën për të formuar një ekip të posaçëm për të koordinuar shkëmbimet ushtarake në shkallë të vogël midis dy palëve. Tajvani ka blerë armë dhe armatime me vlerë miliarda dollarë nga SHBA-ja.
Në nëntor të vitit të kaluar, një ekip i forcave speciale amerikane zbarkoi në Taipei për një periudhë të shkurtër, por thuhet se ata qëndruan në ishull që nga ajo kohë, duke "trajnuar" homologët e tyre tajvanezë dhe duke zemëruar Pekinin, i cili ka paralajmëruar SHBA-në për "ndërhyrje në punët e brendshme të Kinës”.