Sertaç Bulur
13 Prill 2022•Përditësim: 13 Prill 2022
Agjencia e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe të Emergjencave të Turqisë (AFAD) njoftoi se gjithsej 67 kamionë me ndihma humanitare dhe një kamion kuzhine mobile janë dërguar në Ukrainë që nga fillimi i luftës ruso-ukrainase, transmeton Anadolu Agency (AA).
Turqia vazhdon të dërgojë ndihma humanitare për popullin ukrainas, thuhet në deklaratën e AFAD-it.
Më tej shtohet se ndihmat humanitare dërgohen nën koordinimin e AFAD-it dhe me mbështetjen e institucioneve, organizatave dhe organizatave joqeveritare përkatëse.

Kamioni me kuzhinë mobile shërben ushqime të nxehta në pikën kufitare 'Siret' në Rumani nga 12 deri më 18 mars ndërsa nga 20 marsi, kamioni filloi të shërbejë ushqime të nxehta në qytetin Lviv në Ukrainë.
Lufta midis Rusisë dhe Ukrainës, e cila filloi me sulmin rus më 24 shkurt, shkaktoi reagimin ndërkombëtar, çoi në sanksione financiare kundër Moskës dhe inkurajoi largimin e kompanive globale nga Rusia.
Sipas vlerësimeve të OKB-së, të paktën 1.892 civilë janë vrarë dhe 2.558 janë plagosur në Ukrainë që nga fillimi i luftës. Në të njëjtën kohë, më shumë se 4.6 milionë ukrainas kanë ikur në vende të tjera dhe miliona janë zhvendosur brenda vendit, sipas të dhënave nga Agjencia e OKB-së për Refugjatët.