Ayşe Aktaş
26 Nëntor 2015•Përditësim: 26 Nëntor 2015
RIO DE JANEIRO (AA) - Në lidhje me aferën korruptive brenda kompanisë energjetike shtetërore Petrobras në Brazil, me vlerë në miliarda dollarësh, janë arrestuar senatori Delcidio do Amaral dhe biznesmeni më i pasur në vend Andre Esteves, raporton Anadolu Agency (AA).
Një zyrtar i Gjykatës Kushtetuese të vendit, tha se senatori Amaral u ndalua dje me dyshimin se ka penguar një hetim lidhur me aferën e lartpërmendur. Edhe Esteves u arrestua nën të njëjtin dyshim.
Hetimi filloi në mars të këtij viti. Gjatë hetimit, janë arrestuar më shumë se 100 persona në mesin e të cilëve edhe dy ish deputetë, zyrtarë të lartë dhe biznesmenë të njohur.
Ish drejtori i përgjithshëm i kompanisë energjetike Petrobras, Paulo Roberto Costa u dënua me shtatë vjet e gjashtë muaj burg
Hetuesit pretendojnë se disa kompani private kanë paguar zyrtarët e korruptuar, me qëllim që të fitojnë kontrata të majme me Petrobras. Supozohet se bëhet fjalë për shuma në miliarda dollarësh.