Sayed Khodaberdi Sadat
25 Gusht 2017•Përditësim: 26 Gusht 2017
KABUL (AA) – Së paku 20 persona kanë humbur jetën, ndërsa më shumë se 40 të tjerë janë plagosur gjatë sulmit në një xhami Shiite në kryeqytetin afgan, Kabul, raporton Anadolu Agency (AA).
Xhamia në momentin e sulmit ka qenë e mbushur me besimtarë, të cilët kishin ardhur për lutjet e së premtes.
Në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë së Afganistanit theksohet se sulmi është kryer në xhaminë “Imam Zaman” në lagjen Kale-i Najjara.
Zëdhënësi i policisë së Kabulit, Basir Mujahit, tha para gazetarëve se njëri nga katër sulmuesit shpërtheu bombën në hyrje të xhamisë, ndërsa tre të tjerët hynë në faltore duke shtënë ndaj besimtarëve. Policia pas disa orëve arriti të neutralizojë tre sulmuesit.
Mjekët deklaruan se numri i të vdekurve mund të rritet meqë në mesin e të plagosurve ka shumë persona me lëndime të rënda.
Organizata terroriste DEASH ka marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin ndaj xhamisë në Kabul. DEASH-i përmes agjencisë së lajmeve Amak porositi se pjesëtarët e saj kryen sulm ndaj xhamisë.