Sayed Khodaberdi Sadat
02 Janar 2017•Përditësim: 02 Janar 2017
MEZAR-I SHERIF (AA) - Të dielën është kryer një sulm me bombë në një xhami shiite në provincën Herat të Afganistanit, në të cilin gjashtë persona u plagosën, raporton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësi i Zyrës së Guvernatorit në Herat, Ceylani Farhad tha se bomba ishte vendosur në mihrabin e xhamisë "Imam Bakir", kurse mjeti shpërthyes është aktivizuar me telekomandë gjatë namazit të akshamit.
Farhad theksoi se një person është në gjendje të rëndë.
Ende askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin, por në dy vitet e fundit shihet një rritje në sulmet e organizatës terroriste DEASH ndaj shiitëve.
Në fund të vitit të kaluar në Kabul, ishte kryer një sulm ndaj xhamisë "Bakir al-Ulum", ku u vranë 27 persona.