Büşra Nur Bilgiç
03 Korrik 2019•Përditësim: 03 Korrik 2019
Dy agjenci të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) kanë dënuar fuqishëm sulmin ajror të kryer ndaj qendrës strehimore në Libi, duke vrarë më shumë se 40 civilë të pafajshëm, të gjithë emigrantë, raporton Anadolu Agency (AA).
Raportohet gjithashtu për të paktën 80 emigrantë të lënduar në sulmin që ndodhi në lindje të kryeqytetit Tripoli.
Në një kumtesë të përbashkët të mërkurën, Agjencia e OKB-së për refugjatë (UNHCR) dhe Organizata Ndërkombëtare për Emigracion (IOM) kërkuan që "sistemi më i gjerë i OKB-së të dënojë këtë sulm dhe t'u japë fund paraburgimeve në Libi".
Ata më tej i bëjnë thirrje komunitetit ndërkombëtar për të mundësuar korridore urgjente për emigrantët dhe refugjatët që të evakuohen nga Libia.
"Dhuna e fundit po ashtu flet për rrezikun që IOM dhe UNHCR kanë paralajmëruar për kthimin e emigrantëve dhe refugjatëve në Libi pasi ata të kapen apo të shpëtohen në Detin e Mesdheut", thuhet po ashtu në kumtesë.
Që kur shpërtheu kaosi në Libi në vitin 2011, bregdeti veriperëndimor u shndërrua në një qendër të madhe për emigrantët afrikanë që kërkojnë të arrijnë në Evropë, veçanërisht në Itali.
Të dy organizatat e OKB-së bëjnë thirrje për t'i dhënë fund menjëherë paraburgimit të emigrantëve dhe refugjatëve si dhe mbrojtjen e tyre në Libi.
Qendra e sulmuar sot mbante "të paktën 600 emigrantë dhe refugjatë, duke përfshirë gra dhe fëmijë. Sulmi ajror shkaktoi vdekjen e disa personave, si dhe plagosjen e disa të tjerëve. Për këtë shkak, ne presim që numri përfundimtar i viktimave të jetë më i madh", thuhet në kumtesë.
Në kumtesë theksohet se qendrat e këtilla duhet të mbyllen përfundimisht pasi "kushtet mund të përshkruhen vetëm si johumane" dhe përleshjet rreth tyre intensifikohen çdo ditë.
Qeveria e Marrëveshjes Kombëtare (GNA) në Libi, e njohur nga OKB të mërkurën akuzoi forcat besnike të komandantit Khalifa Haftar për vrasjen e emigrantëve që qëndrojnë në një strehimore në kryeqytet.
Fawzi Unayyis, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë së GNA-së, për AA tha se avionët luftarakë të Haftarik kanë sulmuar strehimoren, duke shtuar se numri i viktimave mund të rritet.
Libia ka mbetur e përfshirë nga trazirat që nga viti 2011, kur një kryengritje e përgjakshme e mbështetur nga NATO-ja çoi në rrëzimin dhe vdekjen e presidentit Muamar Gadafi pas katër dekadash në pushtet.
Që atëherë, ndarjet politike në vend kanë shkaktuar ndarjen e pushtetit, një në lindje të vendit, me të cilën Haftar është i lidhur, dhe Qeveria e Pajtimit Kombëtar e mbështetur nga OKB-ja në Tripoli.