Mücahit Oktay
17 Shkurt 2023•Përditësim: 17 Shkurt 2023
Aktori i famshëm amerikan Bruce Willis është diagnostikuar me demencë, njoftoi familja e tij, transmeton Anadolu.
Në një njoftim nga familja në rrjetet sociale thuhet se aktori 67-vjeçar, i cili aktualisht vuan nga afazia e cila ka përparuar, është diagnostikuar me demencë frontotemporale (FTD) dhe se “është ngushëlluese të kesh një diagnozë të qartë” për gjendjen e aktorit të njohur e cila e pengon ndjeshëm aftësinë e tij për të komunikuar.
“Aktualisht nuk ka kurë për sëmundjen. Shpresojmë që realiteti të mund të ndryshojë në vitet e ardhshme. Ndërsa gjendja e Bruce-it përparon, shpresojmë që vëmendja e mediave të mund të përqendrohet në ndriçimin e kësaj sëmundjeje, e cila kërkon shumë më tepër ndërgjegjësim dhe hulumtim”, thuhet në njoftim.
Aktori amerikan u largua nga aktrimi në mars të vitit 2022 për shkak të afazisë.
Willis, i cili filloi të aktrojë në Broadway në fund të viteve 1970, ka luajtur në dhjetëra filma të shquar gjatë karrierës së tij gjysmëshekullore, si “Moonlight”, “Pulp Fiction” dhe “Die Hard”.
“Assassin”, filmi i fundit artistik me protagonist Bruce Willis-in, do të shfaqet në kinema më 31 mars.