Betül Yürük
02 Janar 2018•Përditësim: 03 Janar 2018
NEW YORK (AA) - Mbi 300 aktore, regjisore, producente dhe skenariste në Hollywood kanë nisur fushatë kundër abuzimit seksual, raporton Anadolu Agency (AA).
Në fushatën e organizuar me emrin "Time's Up" për ta luftuar ngacmimin seksual sistematik në industrinë e filmit dhe sektorë të tjerë, bëjnë pjesë 300 femra, përfshirë aktoret me famë botërore Natalie Portman dhe Emma Stone.
Në fazën e parë, në fushatë janë donuar 13 milionë dollarë, të cilat do të përdoren për të siguruar mbështetje ligjore për viktimat e ngacmimeve seksuale në vendet e tyre të punës.
Në kuadër të fushatës, grave që këtë vit do të ecin në qilimin e kuq në ceremoninë e Çmimeve Globi i Artë u është bërë thirrje të veshin fustanë të zinj në mënyrë që të krijohet vetëdijësim për ngacmimet seksuale.
Fushata vjen pas akuzave për ngacmim seksual në të cilat u përfshinë shumë persona, siç ishin producenti amerikan Harvey Weinstein dhe aktori amerikan Kevin Spacey.
Spacey është akzuar se në vitin 1986 ka ngacmuar seksualisht aktorin amerikan Anthony Rapp kur ai ishte në moshën 14-vjeçare. Nga ana tjetër, emrat e famshëm të Hollywoodit si Gwyeneth Paltrow, Rose McGowan, Angelina Jolie dhe Ashley Judd kishin akuzuar Weinsteinin për sjellje të papërshtatshme ndaj tyre.
Ndërkaq, aktorja angleze Lysette Anthony kishte pohuar se në vitin 1980 ka qenë viktimë e ngacmimit seksual nga Weinstein.
Poashtu, producenti amerikan Charlie Rose (75) ishte larguar nga transmetimi në kanalin CBS me akuzën për ngacmim seksual ndaj tetë femrave.
Gazeta New York Times (NYT) kishte njoftuar largimin nga detyra të Glenn Thrush, korrespondentit për Shtëpinë e Bardhë ndaj të cilit ishte hapur hetim me akuza për ngacmim seksual.
Revista TIME kishte zgjedhur si "Personi i Vitit" njerëzit që kishin prishur heshtjen duke filluar fushatë në rrjetet sociale me hashtagun #metoo (edhe unë) në lidhje me skandalet e ngacmimit seksual.