Erbil Başay
24 Shtator 2017•Përditësim: 25 Shtator 2017
BERLIN (AA) – Kancelarja gjermane dhe liderja e Unionit Kristian-Demokratik (CDU), Angela Merkel ka shpallur fitoren në zgjedhjet e sotme parlamentare dhe paralajmëroi formimin e Qeverisë së re, raporton Anadolu Agency (AA).
Qendrat e votimit në mbarë Gjermaninë janë mbyllur në ora 18:00 ndërsa 61.5 milionë votues kanë patur mundësi të zgjedhin përbërjen e re të Bundestagut gjerman.
Televizioni gjerman ARD ka publikuar sondazhet e para, sipas të cilavë Unioni kristian i Angela Merkelit, CDU/CSU, ka fituar 33 për qind të votave ndërsa Socialdemokratët (SPD) kanë fituar 20. 8 për qind.
Kancelarja e cila në krye të qeverisë është që nga viti 2005 dhe lidere e CDU-së, Angela Merkel i është adresuar opinionit në selinë e partisë në Berlin dhe ka shpallur fitoren në zgjedhje.
Duke vënë në dukje se priste mbështetje më të madhe nga votuesit, Merkel tha se megjithatë është e kënaqur me fitoren e arritur në fushatën e vështirë parazgjedhore duke marrë parasysh të gjitha sfidat me të cilat është përballur qeveria në mandatin e kaluar.
"Ne kemi arritur një qëllim strategjik, pa ne nuk mund të formohet qeveria ndërsa ne përsëri e kemi fituar besimin për formimin e qeverisë", tha Merkel dhe paralajmëroi bisedime për koalicionin e ri.
Ajo gjithashtu tha se duhet patjetër të analizohet suksesi zgjedhor i populistëve të djathtë radikal të AfD dhe paralajmëroi se në mandatin e ardhshëm do të punojë në përfitimin e këtij trupi votues.
Merkel paralajmëroi vazhdimin e luftës për një Bashkim Evropian të fuqishëm dhe reforma për prosperitet në Gjermani.
Partneri i deritanishëm i kolaicionit SPD ka shënuar rezultatin më të keq në histori ndërsa kreu i partisë Martin Schulz paralajmëroi se SPD do të jetë lider i opozitës në Bundestag dhe se nuk do të tërhiqet nga posti i liderit.
Sukses më të madh ka shënuar partia e djathtë radikale Alternativa për Gjermaninë (AfD) e cila me 13.5 për qind të votave të fituara do të jetë partia e tretë më e fuqishme në Parlament tregojnë sondazhet zgjedhore.
Në Bundestag, sipas sondazheve, duhet të hyjë edhe Partia Demokratike e Lirë (FDP) me 10.5 për qind të votave të fituara, Partia e të Gjelbërve 9.5 për qind dhe Partia majtiste me 9 për qind të votave.