Hasan Tosun
30 Prill 2016•Përditësim: 30 Prill 2016
VJENË (AA) – Përfaqësuesi i posaçëm i kryesuesit të OSBE-së në Ukrainë, Martin Sajdik, deklaroi se është arritur një marrëveshje për paqe gjatë festës së pashkëve ortodokse, e cila këtë vit festohet më 1 maj, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në deklaratën me shkrim thuhet se në Minsk është mbajtur një takim trilateral i grupit të kontaktit ku është dakorduar një armëpushim me rastin e pashkëve.
Në bazë të marrëveshjes së arritur nga grupi trilateral të cilin e përbëjnë Rusia, Ukraina, SHBA-të dhe OSBE, armëpushimi do të hyjë në fuqi sonte në mesnatë më konkretisht në mesnatën mes 30 prillit dhe 1 majit.
Kryesuesi i OSBE-së, njëherësh ministër i Jashtëm i Gjermanisë, Frank Walter Steinmeier, shprehu kënaqësinë e tij lidhur me marrëveshjen e arritur. "Në ditët e kaluara është shtuar numri i shkeljeve të marrëveshjes së Minskut. Ky është një rast të ulim dhunën. Palët duhet të shfrytëzojnë këtë rast dhe nuk duhet të lejojnë që situata përsëri të dalë nga kontrolli dhe si pasojë të vdesin njerëz”, tha Steinmeier.