Safiye Karabacak
16 Qershor 2021•Përditësim: 16 Qershor 2021
Ministri i Jashtëm i Izraelit, Yair Lapid e përshkroi si "turp të popullit izraelit" ata që brohorisnin parulla raciste gjatë "marshimit të flamurit" të organizuar nga hebrenjtë e ekstremit të djathtë në Portën e Damaskut në Kudsin Lindor, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Është e pakuptueshme për dikë që të mbajë flamurin izraelit dhe nga ana tjetër të bërtasë 'Vdekje për arabët'. Ata janë turpi i popullit izraelit", shkroi në Twitter, Lapid.
Në një postim tjetër, Lapid duke falënderuar ministrin izraelit të Sigurisë së Brendshme, Omer Bar Lev, për menaxhimin e mirë të marshit tha se "Është e pafalshme ekzistenca e disa radikalëve të cilët me flamurin izraelit shkaktojnë urrejtje dhe racizëm".
Rreth 5.000 hebrenj fanatikë u mblodhën në Portën e Damaskut në Kuds nën mbrojtjen e policisë izraelite, ku mbajtën një demonstratë për një kohë të gjatë me flamuj izraelitë në duar. Hebrenjtë, të cilët gjithashtu ngacmonin gazetarët dhe disa të rinj palestinezë përreth, brohorisnin "Vdekje për arabët".
Hebrenjtë fanatikë, përfshirë deputetët e ekstremit të djathtë si Itamar Ben-Gvir dhe Betzalel Smotrich, herë pas here rritën tensionet në rajon.
Gjatë protestës u plagosën 33 persona në ndërhyrjen e policisë izraelite ndaj palestinezëve që protestonin kundër "marshimit të flamurit" të hebrenjve fanatikë rreth Qytetit të Vjetër në Kudsin Lindor të okupuar.