Seyit Ahmet Aytaç
27 Dhjetor 2018•Përditësim: 28 Dhjetor 2018
MELBOURNE (AA) – Australia dhe Zelanda e Re të enjten i kërkuan Japonisë të qëndrojë në Komisionin Ndërkombëtar të Gjuetisë së Balenave (IWC) pas vendimit të saj për të rifilluar gjuetinë komerciale të tyre, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministrja e Jashtme e Australisë, Marise Payne dhe homologu i saj i Zelandës së Re, Winston Peters i kërkuan Japonisë të qëndronte në IWC duke shprehur zhgënjimin e qeverive të tyre.
Australia është "jashtëzakonisht e zhgënjyer" me njoftimin e Japonisë, tha Payne në një deklaratë. Ajo i kërkoi Japonisë që të kthehet në paktin në fjalë.
"Australia mbetet me vendosmëri kundër të gjitha formave të gjuetisë komerciale të balenave dhe të ashtuquajtur ‘shkencore’. Ne do të vazhdojmë të angazhohemi me Japoninë për këtë çështje të rëndësishme në rolin si vëzhgues i komisionit", tha ajo.
"Gjuetia e balenave është një praktikë e vjetruar dhe e panevojshme. Ne vazhdojmë të shpresojmë që Japonia në fund të rishikojë pozitën e saj dhe do të pushojë të gjitha gjuetarët e balenave në mënyrë që të avancojnë mbrojtjen e ekosistemeve të oqeanit", tha Peters në një deklaratë.
Japonia do të tërhiqet nga IWC vitin e ardhshëm dhe do të rifillojë gjuetinë tregtare në ujërat e saj territoriale dhe zonën ekonomike ekskluzive duke filluar në muajin korrik, tha të mërkurën Sekretari i Përgjithshëm i Kabinetit, Yoshihide Suga.