Ruslan Rehimov
26 Shkurt 2019•Përditësim: 27 Shkurt 2019
Me një varg programesh në shumë qytete të Azerbajxhanit sot shënohet 27 vjetori i masakrës në fshatin Hoxhali, në të cilin më 26 shkurt të vitit 1992 ushtria e Armenisë vrau 613 civilë, raporton Anadolu Agency (AA).
Manifestimi qendror u mbajt në Monumentin e viktimave të masakrës në Hoxhali në Baku, ku morën pjesë presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev si dhe zyrtarë të tjerë, ambasadorë, familje të viktimave dhe qytetarë.
Programi zyrtar filloi me vendosjen e një kurorë lulesh nga presidenti Aliyev dhe një programi fetar para Monumentit në Sheshin e Lirisë. Mijëra azerbajxhanas ishin të pranishëm, të cilët sot, 27 vjet nga masakra e tmerrshme, kujtojnë vuajtjet e bashkëqytetarëve.
Përveç Baku, në qytetet tjera të Azerbajxhanit mbahen programe të ndryshme të kujtimit të masakrës në Hoxhali.
Masakra e ushtrisë armene në fshatin Hoxhali ishte ngjarja më e përgjakshme në luftën midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, e cila ndodhi në fillim të viteve 1990 për shkak të zonës së diskutueshme të Malësisë së Karabakut.
Hoxhali është një vendbanim të cilin forcat armene e pushtuan në fund të vitit 1991. Bëhet fjalë për një vend që shtrihet në sipërfaqe prej 936 kilometra katrorë dhe në të cilin jetonin 2.605 familje, gjegjësisht 7.000 persona. Ushtria armene paraprakisht e mori kryeqytetin Hankendi të Malësisë së Karabakut, ndërsa më pas në objektiv të sulmeve të tyre vendosi fshatrat azerbajxhanase, ku Hoxhali ishtë më tepër. Në Hoxhali ndodhej aeroporti i vetëm në rajon dhe ishte kanal i rëndësishëm i qarkullimit të ndihmës humanitare për azerbajxhanasit në këtë rajon.
Në fund të janarit të vitit 1992, ushtria krejtësisht e rrethoi fshatin Hoxhali dhe më 25 shkurt filloi operacioni i armatosur dhe okupimi i qytetit.
Sipas të dhënave zyrtare, 613 civilë u vranë në masakrën në Hoxhali, përfshirë 106 gra dhe 83 fëmijë. Rëndë u plagosën 487 persona. Forcat armene kapën 1.275 njerëz, 150 prej të cilëve ende llogariten si të zhdukur.