Ekip
17 Tetor 2019•Përditësim: 17 Tetor 2019
Ministri i Punëve të Jashtme i Irakut, Mohammed Ali Al-Hakim, ka deklaruar se vendi i tij do të pranonte procesin e gjykimit në gjykatat irakianë të anëtarëve irakianë të DEASH-it, së bashku me familjarët e tyre, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryediplomati irakian propozimin e shpalosi gjatë konferencës së përbashkët për media në Bagdad me homologun e tij francez, Jean-Yves Le Drian, pas një takimi zyrtar ku dy ministrat diskutuan për “fatin e anëtarëve të DEASH-it në vazhdën e operacioneve ushtarake turke në vazhdim”.
“Iraku pajtohet që pjesëtarët irakianë terroristë të DEASH-it të paditen para gjykatave irakiane”, tha Al-Hakim.
Ai po ashtu tha se Iraku po ndjek zhvillimet në Siri dhe se ka ndërmarrë masa për të parandaluar depërtimin e pjesëtarëve terroristë të DEASH-it në Irak.
Sipas tij, pjesëtarët e DEASH-it në Siri janë nga mbi 72 vende të ndryshme, të cilëve u bëri thirrje për t’i dhënë fund ekzistencës së tyre në Siri.
Nga ana tjetër, Le Drian paralajmëroi kundër rishfaqjes së DEASH-it në Siri dhe Irak. Ai i bëri thirrje koalicionit ndërkombëtar, i cili ishte formuar për të luftuar DEASH-in në Irak, të tubohet dhe të diskutojë rreziqet e një kthimi të DEASH-it.
Të hënën, Turqia akuzoi grupet terroriste YPG/PKK për lirimin e qëllimshëm të të burgosurve të DEASH-it, të cilët mbaheshin në një burg në qytetin kufitar sirian Tal Abyad në një përpjekje për të nxitur kaos në zonë.
Turqia nisi operacionin “Burimi i Paqes” në lindje të Eufratit për të siguruar kufijtë e saj duke eliminuar elementet terroriste, si dhe për të garantuar kthimin e sigurt të refugjatëve sirianë dhe integritetin territorial të Sirisë.
Ankaraja dëshiron të pastrojë veriun e Sirisë në lindje të lumit Eufrat nga PKK-ja terroriste dhe dega e saj siriane YPG.
Në fushatën e saj terroriste mbi 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK-ja e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-të dhe Bashkimi Evropian (BE), ka qenë përgjegjëse për vdekjen e 40 mijë personave, përfshirë shumë gra, fëmijë dhe foshnje.