Ekip
19 Dhjetor 2017•Përditësim: 19 Dhjetor 2017
DHAKA (AA) – Bangladeshi dhe Mianmari, pas një takimi të mbajtur në Dhaka midis delegacioneve të të dy vendeve të udhëhequra nga përfaqësues diplomatik, kanë formuar një grup pune të përbashkët për kthimin në atdhe të refugjatëve Rohingya, raporton Anadolu Agency (AA).
Delegacioni i Bangladeshit udhëhiqej nga sekretari i jashtëm i Qeverisë, Shahiduk Haque, ndërsa ai i Mianmarit nga sekretari i përhershëm në Ministrinë e Jashtme, Myint Thu.
Paneli i përbashkët do të numërojë 15 anëtarë nga secili vend. Haque do të udhëheq palën e Bangladeshit, ndërsa Thu do të jetë kreu i ekipit të vendit të tij.
Mbrëmë, sekratari Myint Thu ka mbërritur në Dhaka për të zhvilluar bisedime.
Më herët, ministri i Jashtëm i Bangladeshit tha se hapi i ardhshëm i procesit të riatdhesimit do të fillojë së shpejti, por pa përmendur detaje të mëtejshme.