Gülşen Topçu
26 Gusht 2021•Përditësim: 26 Gusht 2021
Banka Botërore do të ndajë 25 milionë dollarë për t'u përdorur në fushën e shëndetësisë në Liban, ku ka krizë të madhe në industrinë farmaceutike, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas agjencisë libaneze të lajmeve NNA, ministri libanez i Shëndetësisë, Hamed Hasan, bëri disa deklarata në takimin e organizuar nga "Hezbollah" dhe "Lëvizja Amal" në kryeqytetin Bejrut, ku morën pjesë edhe kryebashkiakë nga shumë rajone.
"Ne kemi fituar besimin e Bankës Botërore dhe institucioneve ndërkombëtare. Do të ndahen 25 milionë dollarë për blerjen e barnave të përdorura në trajtimin e sëmundjeve kronike dhe për të gjithë që të kenë qasje në këto ilaçe", tha Hasan.
Ministri i Shëndetësisë gjithashtu tha se shuma në fjalë mbulon shpenzimet për pajisjet e 3 spitaleve shtetërore.
Ministri Hasan deklaroi se kanë bërë një marrëveshje me një kompani farmaceutike për të ofruar 6 milionë "karta ilaçi" për qytetarët në mënyrë që ata të blejnë ilaçet që u duhen me subvencione.
Ministri libanez i Shëndetësisë më 23 gusht njoftoi se u konfiskuan mijëra ilaçe të ruajtura në magazina në pjesët qendrore dhe jugore të vendit.
Në Liban që nga fundi i vitit 2019 për shkak të krizës ekonomike dhe problemit të likuiditetit të këmbimit valutor, për një kohë të gjatë ka pasur problem në importin e materialeve bazë si karburant dhe ilaçe.