Elena Teslova
19 Janar 2017•Përditësim: 19 Janar 2017
MOSKË (AA) - Ekspertët në Rusi janë të mendimit se bashkëpunimi dhe afrimi midis Ankarasë dhe Moskës ka përshpejtuar në mënyrë të konsiderueshme zgjidhjen e krizës në Siri, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke folur për AA, ekspertë rusë kanë vlerësuar bisedimet për Sirinë që planifikohen të mbahen në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana. Duke theksuar se regjimi i Asadit dhe grupet opozitare si palë ndërluftuese në terren për herë të parë do ta kenë mundësinë për bisedime direkte, ekspertët këtë e vlerësojnë si një hap të rëndësishëm për zgjidhjen e luftës civile në Siri.
Boris Dolgov, hulumtues i lartë në Institutin e Shkencave Arabe dhe Lindore pranë Akademisë Ruse të Shkencave, tërheq vëmendjen se palët në terren në Siri do të ulen në tryezë si rezultat i përpjekjeve të Turqisë.
“Bisedimet në Astana nuk do të jenë të lehta. Megjithatë, kemi qenë dëshmitarë se kriza të ngjashme gjatë historisë janë tejkaluar me sukses”, vlerëson Dolgov.
“Në Astana për herë të parë në mënyrë direkte do të takohen regjimi dhe grupet e armatosura opozitare. Ky është një progres i rëndësishëm, i cili nuk do të ndodhte pa Turqinë. Turqi e njeh logjikën e palëve ndërluftuese në Siri, e di se çfarë duan dhe në cilat pika mund të arrijnë kompromis”, thekson Dolgov.
Bashkëpunimi Ankara-Moskë po jep rezultate efikase
Këshilltarja kryesore në Institutin Rus për Hulumtime Strategjike dhe ekspertja e Lindjes së Mesme, Jelena Suponina, është e mendimit se përafrimi i pozicioneve të Turqisë dhe Rusisë për çështjen e Sirisë ka çuar në përshpejtimin e procesit të armëpushimit dhe bisedimeve.
“Pas marrëveshjes mes Ankarasë dhe Moskës, dolën rezultate efikase për një kohë të shkurtër e cila mund të konsiderohet rekord. Turqia është vendi i vetëm i cili ka peshë për t’i tërhequr opozitarët e armatosur në tryezën e bisedimeve. Astana është një proces i gjatë në të cilin do të nevojiten shumë takime”, thekson Suponina.
Sipas saj, armëpushimi në Siri ka një strukturë delikate dhe për këtë arsye Rusia dëshiron që takimet në Astana të fillojnë në kohën e paraparë. Ajo shpreh nevojën që faza e negociatave të fillojë sa më parë derisa ende vazhdojnë kushtet e marrëveshjes mes forcave të regjimit dhe opozitarëve.
Palët ndërluftuese në terren do të takohen për herë të parë për ta ndalur gjakderdhjen
Ndërkaq, Vjaçeslav Matuzov, kryetar i Shoqërisë për Miqësi dhe Bashkëpunim me shtetet arabe, shpreh optimizëm për sa i përket bisedimeve në Astana, duke theksuar se bashkëpunimi Turqi-Rusi ka dëshmuar veten në Halep dhe se kjo praktikë mund të përdorët në tërë Sirinë.
Siç thotë Matuzov, palët të cilët luftojnë mes vete prej gjashtë vitesh do të ulen në tryezën e njëjtë në Astana.
"Palët do të takohen për herë të parë për ta ndalur gjakderdhjen. Ky është një proces i vështirë. Ka nevojë jo vetëm për përpjekjet e Turqisë dhe Rusisë, por edhe ato të Iranit, SHBA-ve dhe shteteve të tjera të rajonit. Shembulli i Halepit ka treguar se me ndihmën e Turqisë mund të arrihen rezultate të rëndësishme”, nënvizon Matuzov.