Ata Ufuk Şeker
23 Prill 2022•Përditësim: 25 Prill 2022
Institucionet e Bashkimit Evropian kanë rënë dakord për një ligj që do ta bëjë përmbajtjen e platformave dixhitale si Facebook, YouTube dhe Twitter më të sigurt për përdoruesit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Komisioni Evropian, Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së njoftuan se është siguruar marrëveshje në negociatat e zhvilluara rreth "Ligjit të Shërbimeve Dixhitale".
Sipas kësaj, për platformat dixhitale do të vendosen rregulla të reja të rrepta, do të rriten përgjegjësitë lidhur me përmbajtjet e dëmshme dhe të paligjshme të platformave online dhe do të kontrollohen në mënyrë të rreptë përmbajtjet që kanë platformat.
Në kuadër të kësaj do të merret parasysh parimi se ajo që është e paligjshme në jetën reale duhet të jetë e paligjshme edhe në mjedisin e internetit. Do të mbrohen më mirë të drejtat bazë të përdoruesve të internetit dhe se platformat do të jenë të detyruara të heqin me shpejtësi produktin, shërbimin dhe përmbajtjen e paligjshme që njoftohet.
Po ashtu do të parandalohet dezinformimi në platformat dixhitale dhe do të rritet transparenca e algoritmeve të platformave.
Në kuadër të ligjit do të mbrohet më mirë mjedisi i internetit për të miturit si dhe do të ndalohen reklamat e drejtpërdrejta ndaj tyre. Platformat e mëdha online do t'u nënshtrohen përgjegjësive shtesë për shkak të rreziqeve të caktuara që ato formojnë në shpërndarjen e përmbajtjeve të paligjshme ose të dëmshme.
Platformat e mëdha dixhitale dhe motorët e kërkimit që kanë mbi 45 milionë përdorues në BE do të jenë të detyruar të zbatojnë rregulla më të rrepta dhe këto plaforma dixhitale do të kontrollohen nga KE-ja.
Ndaj platformave dixhitale që shkelin rregullat do të mund të zbatohen gjoba në para që arrijnë në 6 për qind të xhirove të tyre globale. Në rast të përsëritjes së shkeljeve, aktivitetet e platformave dixhitale në fjalë në BE mund të ndërpriten.
BE-ja po përpiqet të përditësojë në mënyrë të përshtatshme me kushtet e ditës rregullat e tregtisë elektronike të përgatitur 20 vite më parë.
Pas kësaj faze, nevojitet miratimi zyrtar i PE-së dhe Këshillit Evropian që ligji në fjalë të hyjë në fuqi.