Granit Osmani
18 Korrik 2016•Përditësim: 19 Korrik 2016
SHKUP (AA) - BE-ja përmes një deklarate dënon ashpër tentimin per grusht shteti në Turqi dhe rithekson edhe njëherë mbështetjen e saj të plotë ndaj institucioneve legjitime të vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në vazhdim të deklaratës thuhet "Shprehim keqardhjen tonë për numrin e madh të viktimave dhe solidarizohemi me popullin turk. BE-ja ka mirëpritur qëndrimin e përbashkët të partive politike në mbështetje të demokracisë së Turqisë".
Më tej BE-ja u bën thirrje autoriteteve turke që të tregohen të përmbajtura, duke përfshirë edhe forcat e policisë dhe të sigurisë. Të bëhet gjithçka në drejtim të shmangies së dhunës së mëtejshme, në drejtim të mbrojtjes së jetëve dhe rivendosjes së qetësisë.
"BE-ja bën thirrje për respektimin e plotë të rendit kushtetues të Turqisë dhe thekson rëndësinë e sundimit të ligjit ekzistues. Është shumë e rëndësishme që të sigurohet respektimi i plotë i të gjitha institucioneve demokratike të vendit, duke përfshirë qeverinë e zgjedhur dhe Asamblenë e Madhe Kombëtare të Turqisë".