Abdullah Aşıran
10 Tetor 2017•Përditësim: 10 Tetor 2017
LAHEY (AA) – Drejtori i Qendrës për të Drejtat Ndërkulturore Njerëzore të Holandës, Prof. Dr. Tom Zwart tha se Turqia do t’i shtojë një vlerë tjetër Bashkimit Evropian dhe se BE-ja pa Turqinë është e mangët.
Zwart në një deklaratë për Anadolu Agency (AA) foli për marrëdhëniet midis Turqisë dhe BE-së.
Ai theksoi rëndësinë e anëtarësimit të Turqisë në BE. “Turqia ka realizuar një përparim të rëndësishëm në reformat e BE-së, sidomos me përpjekjet e presidentit Recep Tayyip Erdoğan. Mendoj se Turqia do t’i shtojë një vlerë tjetër BE-së. Anëtarësimi i Turqisë në BE, do t'i shtojë vlerë më të madhe Unionit pas Brexit-it. BE-ja pa Turqinë do të mbetet e mangët”, tha Zwart.
Më tej vuri në dukje se disa probleme të BE-së tanimë nuk mund të zgjidhen pa praninë e Turqisë. “BE-ja duhet ta respektojë dhe të gëzohet për marrëveshjen e refugjatëve e cila u nënshkrua në mars të vitit 2016 me Turqinë. Turqia në të ardhmen do të ketë një rol kyç për problemet e ngjashme”, tha ai.
“Negaciatat Turqi-BE duhet të vazhdojnë në mënyrë të shpejtë. Kur Turqia do të jetë anëtare e BE-së atëherë disa marrëveshje do të arrihen shumë më shpejtë”, thotë Zwart.
Duke vënë në dukje se kjo ka rëndësi edhe për Holandën, Zwart thotë se “Anëtarësimi i Turqisë në BE do ta lehtësojë edhe më shumë tregtinë aktuale në mes të dy shteteve”.
Sipas tij, Turqia po kalon në një periudhë të vështirë. “Meqë tentativa e vitit të kaluar për grusht shteti në Turqi ishte e pasuksesshme, Evropa dhe shteti i Holandës nuk e morën me aq seriozitet këtë ngjarje dhe e panë si një rast të thjeshtë. BE-ja e ka lënë të vetëm Turqinë në këtë aspekt. BE-ja duhej të sillej në mënyrë më të ndjeshme përballë atentatit për vrasje të presidentit Erdoğan, vrasjes së një numri të madh të njerëzve si dhe ndaj kësaj tentative për grusht shteti e cila e goditi demokracinë. Në anën tjetër, unë kam besim të plotë për gjykimin në mënyrë demokratike të kriminelëve nga Turqia", thotë Zwart.
Ai foli edhe për fushatën zgjedhore të zgjedhjeve të përgjithshme të 15 marsit të vitit 2017 në Holandë, e cila u zhvillua nën hijen e retorikave raciste, anti-islamizmit, armiqësisë ndaj të huajve dhe qëndrimit skandaloz ndaj ministrave turq.
“Qëndrimi i politikanëve holandezë ndaj Turqisë dhe deklaratat negative ndaj tyre gjatë këtij procesi duhet të shihen si një qëndrim i marrë në ambientin zgjedhor. Kjo është një metodë e cila përdoret zakonisht në fushatat e politikanëve. Besoj se pas formimit të qeverisë së re në Holandë, do të përmirësohen përsëri problemet diplomatike mes këtyre dy shteteve”, thotë Zwart.