Selen Temizer
25 tetor 2021•Përditësim: 26 tetor 2021
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Marrëdhëniet e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell tha se po ndjekin me shqetësim të madh zhvillimet në Sudan ndërsa ministri i Jashtëm të Gjermanisë, Heiko Maas bëri thirrje për ndalimin e tentativës për grusht shteti, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë nga llogaria e tij në Twitter, Borrell tha se "Po ndjekim me shqetësim të madh ngjarjet që vazhdojnë në Sudan. BE-ja inkurajon aktorët dhe partnerët rajonalë që të rivendosin në rrugën e saj procesin e tranzicionit".
Edhe ministri i Jashtëm të Gjermanisë, Heiko Maas në një deklaratë me shkrim tha se "Lajmet për një tjetër tentativë për grusht shteti në Sudan është i tmerrshëm dhe duhet të dënohet. Të gjithëve që janë përgjegjës për sigurinë dhe rregullin shtetëror në Sudan i bëj thirrje që të vazhdojnë procesin e tranzicionit politik paqësor drejt demokracisë dhe të respektojnë vullnetin e popullit".
"Kjo përpjekje për grusht shteti duhet të ndalohet menjëherë", tha në mesazhin e tij Maas duke bërë thirrje për dialog paqësor dhe që t'i jepet fund diktaturës.
Në orët e mëngjesit një grup ushtarësh në Sudan arrestuan kryeministrin Abdalla Hamdok dhe liderët e partive partnere të qeverisë së koalicionit që drejton vendin. Pas kësaj në kryeqytetin Khartoum filluan protestat dhe protestuesit bllokuan disa rrugë duke djegur goma.