Alaattin Doğru,Mouhamed Gueye
22 Shkurt 2018•Përditësim: 22 Shkurt 2018
DAKAR/ANKARA (AA) – Në shtetin e Afrikës Perëndimore në Benin është shfuqizuar dënimi me vdekje, raporton Anadolu Agency (AA).
Me dekretin e Presidentit të Beninit Patrice Talon, dënimi me vdekje në këtë vend është hequr plotësisht.
Ministri i Drejtësisë Joseph Djogbenou pas fjalimit në Këshillin ministror tha se me këtë dekret Talon ka shndërruar në burgim të përjetshëm dënimin me vdekje për 14 persona.
“Ky vendim është tregues i asaj se shteti ynë është pranë shfuqizimit të dënimit me vdekje në çdo vend dhe se e pranon Paktin Ndёrkombёtar pёr tё Drejtat Civile dhe Politike”, thotë Djogbenou, duke shtuar se Benini ka marrë këtë vendim për t’i përmbushur premtimet ndërkombëtare.
Djogbenou me këtë rast theksoi se në burgjet e Beninit nuk ka mbetur asnjë person që është dënuar me dënim me vdekje.
Gjykata Kushtetuese në këtë vend më 4 gusht të vitit 2012 mori vendim në drejtim të “mos shqiptimit të dënimit me vdekje”.
Gjithashtu, edhe Gambia, një nga shtetet e Afrikës, në 50 vjetorin e pavarësisë së saj, të dielën e kaluar bëri të ditur se ka shfuqizuar dënimin me vdekje.