Bayram Altuğ
19 Janar 2017•Përditësim: 19 Janar 2017
MONT PELERIN (AA) – Raundi i ri i bisedimeve për zgjidhjen e çështjes së Qipros, e cila filloi dje në fshatin e vogël zviceran Mont Pelerin, ka vazhduar sot, kurse palët diskutojnë për temat "siguria dhe garancitë", raporton Anadolu Agency (AA).
Pas vendimit për vazhdimin e negociatave midis palëve greke dhe turke për çështjen e Qipros, në Konferencën Ndërkombëtare të organizuar më 12 janar në Gjenevë, nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara, dje rifilluan bisedimet rreth çështjes së Qipros.
Në këto negociata si shtete garantuese marrin pjesë Turqia, Greqia dhe Britania e Madhe si dhe përfaqësues dhe ekspertë të Republikës Turke të Qipros Veriore (KKTC) dhe Qipros Jugore. Pritet që kjo pjesë e bisedimeve të zgjasë rreth tre ditë.
Siç mëson gazetari i AA nga burime diplomatike, është dakorduar një takim mes Presidentit të Republikës Turke të Qipros Veriore, Mustafa Akinci dhe liderit të Qipros Jugore, Nicos Anastasiades në Nikozi, i cili do të mbahet më 26 janar.
Pas negociatave në Mont Pelerin, palët në fund të janarit ose në fillim të shkurtit pritet që përsëri të takohen në nivelin e ministrave të punëve jashtme. Në rast se gjatë kësaj pjese të negociatave arrihet një marrëveshje, në bisedime do të ftohen kryeministrat. Kështu mund të arrihet fundi i negociatave të cilat kanë filluar më 15 maj të vitit 2015.
Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavusoglu më parë theksoi Turqia do të vazhdojë të jetë garantuese në Qipro, pasi ajo do të vazhdojë me praninë e saj ushtarake në ishull. "Kjo është kërkesa më e rëndësishme e popullit turk në Qipro, prej të cilës nuk do të heqë dorë. Në këtë kontekst, kjo është çështja më e ndjeshme dhe më e rëndësishme. Qëndrimi ynë në lidhje me këtë temë është shumë i qartë", ka thënë Çavusoglu.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres gjatë pauzës të konferencës në Gjenevë, deklaroi se qëllimi është të arrihet një zgjidhje e qëndrueshme dhe jo një zgjidhje e shpejtë. Në konferencën e djeshme u tha se ka ardhur koha që negociatat rreth çështjes së Qipros të përfundojë me sukses.
Përndryshe, çështja e Qipros përbëhet nga gjashtë pika themelore: ekonomia, Bashkimi Evropian (BE), pronat, shpërndarja e përgjegjësive dhe administrata, organizimi territorial, si dhe siguria dhe garancitë.