Hakan Ceyhan Aydoğan
29 Janar 2017•Përditësim: 29 Janar 2017
MOSKË (AA) - Presidenti rus, Vladimir Puin dhe presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) Donald Trump kanë zhvilluar një bisedë telefonike, që njëherësh është kontakti i parë mes dy liderëve, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në deklaratën e Kremlinit thuhet se Trump dhe Putin janë pajtuar se marrëdhëniet mes Moskës dhe Washingtonit duhet të zhvillohen në bazë të konstruktivitetit, barazisë dhe interesit reciprok.
Më tej është theksuar se gjatë bisedës është diskutuar mbi situatën në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë, programin bërthamor të Iranit, zhvillimet në gadishullin Korean si dhe çështje të tjera rajonale dhe globale. Të dyja palët potencuan se nevojiten marrëdhënie partneriteti për të gjitha çështjet e diskutuara.
Të dy udhëheqësit ranë dakord edhe për formimin e një koordinimi në periudhën e ardhshme, kur është fjala për luftën kundës ndaj DEASH-it dhe organizatave tjera terroriste.
Putin dhe Trump gjatë bisedës iu dhanë urdhër zyrtarëve kompetent për të organizuar një takim ballë për ballë.
Kremlini bën të ditur se biseda e parë mes presidentit Trump dhe Putin ka rrjedhur pozitivisht.