Ali Cura
10 Gusht 2020•Përditësim: 11 Gusht 2020
Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Brendshme e Bjellorusisë, Olga Chemodanova, deklaroi se rreth 3.000 persona u arrestuan si rezultat i incidenteve që ndodhën gjatë demonstratave të paautorizuara në vend pas njoftimit se Alexander Lukashenko ka fituar zgjedhjet presidenciale, transmeton Anadolu Agency (AA).
Chemodanova tha në një deklaratë se mbrëmë në mesnatë, protestuesit zhvilluan protesta të paautorizuara në 33 vendbanime në vendet ku gjendeshin kutitë e votimit dhe sheshe.
"Përafërsisht, 3 mijë njerëz u arrestuan në demonstratat e paautorizuara në gjithë vendin. Rreth 1 mijë prej tyre u arrestuan në Minsk dhe më shumë se 2 mijë në pjesë të tjera të vendit", deklaroi zëdhënësja e ministrisë.
Po ashtu, Chemodanova deklaroi se nuk u përdorën armë kundër protestuesve dhe se nuk kishte vdekje gjatë incidenteve.
Nga ana tjetër, media bjelloruse raportoi se 39 oficerë policie dhe më shumë se 50 protestues u plagosën në demonstrata, bazuar në burimet e Ministrisë së Shëndetësisë.
Tikhanovskaya: "Nuk e njoh rezultatin e zgjedhjeve"
Ndërkohë, njëra nga kandidatët, Svetlana Tikhanovskaya, deklaroi se kishte të plagosur si rezultat i ndërhyrjes së policisë në demonstrata, por që ende nuk është konfirmuar asnjë informacion rreth ndonjë rasti fatal.
"Shpresoj që askush të mos vdesë, sepse ky do të jetë fillimi i fundit", tha Tikhanovskaya.
Tikhanovskaya tha se janë në favor të një ndryshimi paqësor dhe se qeveria zgjodhi përdorimin e forcës, duke kërkuar që pushteti ta dorëzojë qeverisjen në mënyrë paqësore.
Tikhanovskaya deklaroi se nuk i njeh rezultatet ende të padefinuara të zgjedhjeve dhe se do të vazhdojnë të luftojnë në lidhje me rezultatet.
"Jemi të gatshëm t’i vazhdojmë protestat"
Mariya Kolesnikova, një nga përfaqësueset e Shtabit Zgjedhor, deklaroi se protestat mund të vazhdojnë.
"Ne jemi të gatshëm për protesta të gjata dhe reagim shoqëror kundër asaj që po ndodh tani", tha ajo.
Ndryshe, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Bjellorusisë, Lidiya Yermoshina, njoftoi se presidenti aktual Lukashenko është fituesi i zgjedhjeve presidenciale me 80,23 për qind të votave, ndërsa Svetlana Tikhanovskaya ka siguruar 9,9 për qind.