Ayhan Şimşek
10 Gusht 2020•Përditësim: 10 Gusht 2020
Gjermania sot ka bërë thirrje për bisedime të drejtpërdrejta midis Greqisë dhe Turqisë për të deeskaluar tensionet dhe për të zgjidhur mosmarrëveshjet mbi të drejtat detare në Mesdheun Lindor, raporton Anadolu Agency (AA)
Duke folur në një konferencë shtypi në Berlin, zëdhënësi i qeverisë gjermane Steffen Seibert tha se Berlini është shumë i shqetësuar për tensionet e fundit në rajon.
"Ekziston një nevojë urgjente që palët e përfshira, Greqia dhe Turqia, të përfshihen në bisedime të drejtpërdrejta për të diskutuar mosmarrëveshjet ligjore detare dhe me shpresë t'i zgjidhin ato", tha ai.
I pyetur nëse kancelarja gjermane Angela Merkel do të përpiqej të ndërmjetësonte midis Ankarasë dhe Athinës mes tensioneve në rritje, Seibert ishte i kujdesshëm në fjalët e tij, duke thënë se Berlini monitoron nga afër zhvillimet.
“Qeveria federale është në kontakt me të dy palët dhe është e gatshme të japë një kontribut kudo që të jetë i dobishëm. Por ajo që ka rëndësi vendimtare janë bisedimet e drejtpërdrejta", theksoi ai.
Muajin e kaluar, përpjekjet diplomatike të Merkelit ndihmuan në zbutjen e tensioneve midis Turqisë dhe Greqisë, pasi Athina kundërshtoi kërkimet sizmike të Ankarasë në një zonë në jug të ishullit Meis, ose Kastellorizo.
Por hapat e diskutueshme të Greqisë javën e kaluar për të nënshkruar një marrëveshje të caktimit të kufijve detarë me Egjiptin, për të cilën Turqia thotë se shkel shelfin e saj kontinental dhe të drejtat detare, ka ngjallur më tej tensione midis dy fqinjëve.
Turqia të hënën njoftoi se anija e saj sizmike Oruç Reis do të kryejë hulumtime në rajon deri më 23 gusht.
Ankaraja kritikon Greqinë për ndjekjen e politikave maksimaliste në Mesdheun Lindor dhe nënvizon se pretendimet e saj detare shkelin të drejtat sovrane të Turqisë.