Ekip
07 Mars 2023•Përditësim: 08 Mars 2023
Vrasësi serik në Brazil, i dënuar për 71 vrasje, i cili u lirua në vitin 2017 pasi kaloi 42 vite prapa hekurave, u vra me armë zjarri, raportuan mediat lokale, transmeton Anadolu.
Pedro Rodrigues Filho, ndryshe i njohur si "Pedrinho Matador" që në përkthim i bie "vrasësi i vogël Pedro", u vra të dielën në komunën Mogi das Cruzes të Sao Paulos.
Pedro 68-vjeç, i cili konsiderohet si një nga vrasësit më famëkeq serik në Brazil, u vra pasi mbi të hapën zjarr dy persona, sipas gazetës "Metrolpoes", e cila raportoi se mbi të janë shkrepur disa plumba.
Pedrinho ishte para shtëpisë së tij kur mbi të shtinë disa sulmues që dolën nga një automjet.
Ai pretendonte se kishte vrarë më shumë se 100 njerëz, përfshirë edhe babain e tij, ndërsa gazeta "Globo" raportoi se vitet e fundit u bë i famshëm në rrjetet sociale ku kishte publikuar autobiografinë e tij të titulluar "Unë nuk jam bishë".
Për herë të parë u arrestua në vitin 1973, ndërsa nga burgu doli në vitin 2007. Në burg u kthye katër vite më vonë për të vuajtur edhe dy vite të tjera të dënimit me burg.
Autoritetet dyshojnë se vrasja e Pedrinho-s mund të ketë motive hakmarrje, ndërsa hetimet janë në vazhdim.