Eshat Fırat
09 Dhjetor 2017•Përditësim: 09 Dhjetor 2017
BEJTULLAHIM (AA) – Gjatë përleshjeve mes ushtarëve izraelitë dhe palestinezëve në qytetin Bejtullahim të Bregut Perëndimor, i cili ndodhet nën pushtim janë plagosur 12 protestues, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në deklaratën me shkrim nga Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze thuhet se 12 persona janë plagosur gjatë ndërhyrjes së ushtarëve të Izraelit me gaz lotsjellës dhe plumba gome ndaj protestuesve palestinezë në Bregun Perëndimor, i cili ndodhet nën pushtim.
Në deklaratë thuhet se në rajonin ku protestat po vazhdojnë, Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze ka ndërhyrë menjëherë te palestinezët, të cilët janë prekur nga gazi i hedhur apo janë plagosur nga plumbat e gomës. Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze njofton se të plagosurit janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Shpallet gjendje e jashtëzakonshme në njësitë e Ministrisë palestineze të Shëndetësisë
Ministri i Shëndetësisë së Palestinës, Xhevad Avad në një deklaratë me shkrim tha se për shkak të protestave në Bregun Perëndimor, të mbajtura “kundër vendimit të presidentit të SHBA-ve Donald Trump për Jerusalemin”, në të gjitha njësitë e kësaj ministrie është shpallur gjendje e jashtëzakonshme.
Më tej në deklaratë kërkohet nga stafi mjekësor si dhe nga shërbimi i emergjencës, banka e gjakut dhe të njësive të tjera në Gaza dhe në Bregun Perëndimor të jenë të gatshëm dhe të kenë vigjilencë në rast të plagosjes nga ndërhyrjet e ushtarëve izraelitë.
Duke vënë në dukje se 4 palestinezë kanë rënë dëshmorë në protestat që u mbajtën kundër vendimit të presidentit të SHBA-ve Donald Trump për Jerusalemin, në deklaratë thuhet se edhe 1.100 palestinezë janë plagosur nga gazi, plumbat e vërtetë dhe plumbat e gomës dhe se disa prej tyre janë trajtuar në vendngjarje kurse disa janë dërguar në spitale.