Beyza Binnur Dönmez
14 Nëntor 2019•Përditësim: 14 Nëntor 2019
Liderët e Brazilit, Rusisë, Indisë, Kinës dhe Afrikës së Jugut të mërkurën u mblodhën në kryeqytetin e Brazilit për fillimin e Samitit të 11-të të BRICS, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke përfaqësuar pesë ekonomitë e mëdha në zhvillim që përbëjnë 42 për qind të popullsisë së botës, krerët e pesë kombeve pritet që sot të zhvillojnë një takim me dyer të mbyllura, i cili do të pasohet nga një forum biznesi.
Presidenti brazilian, Jair Bolsonaro, pret presidentin rus, Vladimir Putin, presidentin kinez, Xi Jinping, presidentin e Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa dhe kryeministrin indian, Narendra Modi gjatë samitit dy ditor.
Temat kryesore të takimit pritet të përfshijnë promovimin e shkencës, teknologjisë dhe inovacionit, ekonominë dixhitale dhe forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër krimit transnacional, si dhe diskutimet për bashkëpunimin e disa sektorëve prodhues të pesë ekonomive me New Development Bank, një bankë multilaterale e zhvillimit e krijuar nga shtetet e BRICS.
Çështjet rajonale të tilla si beteja e vazhdueshme e pushtetit midis qeverisë aktuale dhe liderit të opozitës në Venezuelë dhe trazirat politike që filluan me rizgjedhjen e presidentit Evo Morales në Bolivi, e cila rezultoi në dorëheqjen e tij do të diskutohen gjithashtu.
Derisa vendi pritës Brazili kundërshton ashpër qeverinë e Nicolas Maduro në Venezuelë, Moska dhe Pekini e mbështesin atë ekonomikisht.
"Nuk është sekret për askënd se qëndrimet kundër asaj që ndodh në Venezuela ndryshojnë në atmosferën e BRICS", tha para samitit Norberto Moretti, sekretar për politikën e jashtme tregtare dhe ekonomike të Ministrisë braziliane të Punëve të Jashtme.
Grupi do të nxjerrë një deklaratë të përbashkët në fund të samitit i cili do të shënojë të ardhmen e bllokut ekonomik.