İnci Gündağ
05 Nëntor 2017•Përditësim: 06 Nëntor 2017
LEWES (AA) – Mijëra persona morën pjesë në Festivalin e “Natës së Zjarrit”, i cili shënohet me rastin e arrestimit të ushtarit anglez Guy Fawkes dhe dështimit të planit të tij për ti vënë flakën Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar më 5 nëntor të vitit 1605, raporton Anadolu Agency (AA).
Në festival, i cili njihet si festivali më i madh i fishekzjarreve të shtetit dhe organizohet në mënyrë tradicionale çdo vit më 5 nëntor në qytezën Lewes, me një popullsi prej 17 mijë banorësh, edhe këtë vit mblodhi pjesëmarrës të shumtë të grupmoshave të ndryshme.
Njerëzit, të cilët kishin ardhur nga rajone të ndryshme të ishullit në festival, i cili po mbahet për herë të 412-të, mbanin maska dhe kostume interesante.
Ata gjatë natës panë shfaqje të ndryshme të fishekzjarreve. Kurse pjesëmarrësit të cilët erdhën në qendrën e Lewesit për të marrë pjesë në paradën e organizuar dhe mbanin triko me shirita, pantollona të bardha dhe bereta të kuqe, gjatë tërë natës shëtitën me pishtarë në duar në qytezë.
Në kuadër të festivalit po ashtu me qëlim të dëbimit të së keqes vihen në zjarr kukulla të shumta. Në evenimentin e këtij viti, u vunë në zjarr kukullat e mëdha me figurat e presidentit të SHBA-ve Donald Trump, liderit të Koresë së Veriut Kim Jong-un dhe të kryeministres së Mbretërisë së Bashkuar, Theresa May.
Në festivalin i cili vizitohet prej rreth 1 milion personash, digjen edhe kukulla të shumta të madhësive të ndryshme të figurës së Guy Fawkes. Gjatë tërë natës u ndezën 6 zjarre të mëdha dhe janë hedhur qindra mijëra fishekzjarre.
Përkundër paralajmërimeve dhe masava të organizatorëve, në eveniment çdo vit plagosen qindra persona për shkak të shfaqjeve me zjarr.
Guy Fawkes, i cili njihet si tradhtari më i madh i historisë së Mbretërisë së Bashkuar, kundërshtoi monarkinë dhe më 5 nëntor të vitit 1605 tentoi ti vë flakën Parlamentit. Arrestimi i Guy Fawkes dhe dështimi i planit më 5 nëntor në Mbretërinë e Bashkuar festohet çdo vit me hedhje të fishekzjarrëve dhe ndezjen e zjarreve.