Ahmet Gürhan Kartal
30 Prill 2018•Përditësim: 01 Maj 2018
LONDËR (AA) – Sajid Javid është bërë sekretari i ri i Brendshëm i Britanisë, pas dorëheqjes së Amber Rudd gjatë fundjavës, e cila u largua pas zbulimit se kishte mashtruar parlamentin, raporton Anadolu Agency (AA).
“Mbretëresha me kënaqësi ka aprovuar emërimin e deputetit Rt Hon Sajid Javid si sekretar i shtetit i Departamentit të Brendshëm”, u tha në një deklaratë qeveritare.
Javid u rrit në Britani si i biri i një shoferi pakistanez, familja e të cilit erdhi në Britani në vitet 60’-të. Para se të bëhej sekretar i brendshëm, ai ishte sekretari i komuniteteve, qeverisjes lokale dhe strehimit.
Ish-sekretarja e Brendshme britanike, Amber Rudd, dha dorëheqjen mbrëmë pasi nuk arriti të adresojë rolin e saj në një krizë të emigracionit të njohur si “Skandali Windrush”.
Rudd, si ministre e Brendshme, ishte në objektiv të opozitarëve për shkak të praktikave të deportimit me forcë të emigrantëve të cilët pas Luftës së Dytë Botërore, duke filluar nga Karaibet, kishin shkuar në vend si punëtorë.
Rudd në lidhje me pretendimet se në praktikat e deportimit ka vendosur objektiva numerike brenda Ministrisë, përpara komisionit hetues parlamentar në lidhje me çështjen kishte mbrojtur veten duke u shprehur se “nuk ka informacione”.
Mirëpo, ishte zbuluar se praktika është aplikuar me udhëzimin dhe në kuadër të njohurive të Rudd. Ndryshe, ajo premtoi një zgjidhje të çështjes së emigrantëve pasi ajo u ngrit në Parlament.
Së fundmi në media kishte rrjedhur një letër e Rudd, ku ajo e informonte kryeministren May në lidhje me objektivat e saj numerike në praktikën e deportimit.
Rudd është personi i katërt që ka dhënë dorëheqje që nga muaji nëntor nga qeveria e May. Më parë ishin dorëhequr edhe sekretari britanik i Mbrojtjes, Michael Fallon, zv/kryeministri Damian Green, dhe sekretari britanik i Arsimit, Justine Greening.
Përafërsisht 500 mijë persona jetojnë në Britani të cilët kanë lindur në një vend të Commonwealth dhe kanë ardhur në vend para vitit 1971.
Shumica e banorëve nga Xhamajka dhe disa banorë nga Karaibet nuk kanë dokumentet e tyre pasi që kishin arritur në Britani mbi pasaportat e prindërve të tyre si fëmijë.
Ish-sekretari i Irlandës së Veriut, James Brokenshire, i cili lëshoi zyrën në janar për shkak të një operacioni urgjent, është emëruar si sekretar i komuniteteve, qeverisjes lokale dhe strehimit për të plotësuar pozicionin e sekretarit të sapo emëruar të Brendshëm, Sajid Javid.