Ahmet Gürhan Kartal
10 Tetor 2018•Përditësim: 10 Tetor 2018
LONDËR (AA) - Terroristët vazhdojnë të kërkojnë mënyra të reja për të vrarë në rrugët tona, për çka me gjasë do të përdorin armët kimike dhe biologjike në tokën britanike, deklaroi sekretari britanik i Shtetit për Siguri, Ben Wallace, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një fjalim të mbajtur në konferencën mbi sigurinë kombëtare në Londër, Wallace tha se Britania duhet të përgatitet që të përballet me mundësinë e sulmeve të tilla.
"Armët kimike dhe biologjike po afrohen gjithnjë e më shumë”, tha ai, për të shtuar se terroristët kanë zhvilluar një arsenal më të mirë, për çka vendi duhet të jetë i përgatitur se ky arsenal mund të zbarkojë në rrugët britanike.
“Shoqëria jonë e hapur, liberale dhe e lirë, është pre e lehtë e atyre të cilët nuk druajnë dhe nuk frikësohen”, tha Wallace.
Një ekip ekspertësh, ditë më parë tha se ka ndërmarrë një sërë masash të ndryshme si reagim në rast të një sulmi kimik, biologjik, radiologjik ose bërthamor.
Ata thanë se kanë zhvilluar pajisje të cilat përmes testeve të shpejta përcaktojnë nëse njerëzit u janë ekspozuar substancave kimike ose biologjike, për të shtuar se kanë në dispozicion edhe përdorimin e dronëve për të matur toksicitetin në atmosferë, përfshirë edhe teknologjinë për të parandaluar lajmet e rreme.
Kujtojmë se vitin e kaluar, në sulmet terroriste në Londër dhe Manchesterm humbën jetën 36 persona.
Qeveria britanike, pohon se në incidentin më të përfolur në Salisbury marsin e kaluar, dy agjentë të inteligjencës ushtarake ruse, të cilët u identifikuan si Ruslan Boshirov dhe Aleksandër Petrov, përdorën agjentin nervor të ndaluar, “Novichok”, për të vrarë ish spiunin rus Sergei Skripal dhe vajzën e tij Julia.
Në një incident tjetër në të cilin ishte përdorur i njëjti agjent nervor, mbeti e vdekur një grua, ndërsa një burrë u sëmur rëndë.
Në të dy incidentet në fjalë, një zonë e madhe publike u mbyll për qytetarët për një kohë më të gjatë, në mënyrë që autoritetet të mund të bëjnë dekontaminimin.